Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ministrja e Jashtme kritika BE-së – nxiti reagimet e të dërguarve perëndimorë

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të shtunën se pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, Bashkimi Evropian një ‘tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë, duke nxitur reagimet e të dërguarve amerikanë dhe evropianë si dhe të opozitës në shtëpi.

Gjatë një fjalimi në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, ministrja Gërvalla tha se çështja thelbësore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është nëse BE-ja mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë.

“Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në bllok dhe pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, BE-ja është një ‘tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë”, tha zonja Gërvalla. Përgjatë fjalimit të saj ajo shtoi se Evropa nuk ka asnjë histori suksesi në përpjekjet për të parandaluar luftërat.

“Ne kemi nevojë për një strategji të re dhe njerëz të rinj që përpiqen të gjejnë një mënyrë më të mirë. Ndryshe nga të tjerët, ne nuk po përpiqemi ta përdorim BE-në si arkë. Jemi më shumë për vlera evropiane sesa për paratë evropiane”, tha ministrja Gërvalla.

Escobar: Gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan, është kombinim i bashkëpunimit BE-SHBA

I dërguari amerikan, Gabriel Escobar tha se ndryshe nga ministrja Gërvalla, mendon se “gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan, ka qenë kombinim i bashkëpunimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”.

Zoti Escobar tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është ndarë në dy shtigje; njëri me shtetet në NATO që janë shumë më të qëndrueshme, kontribuuese në qëndrueshmërinë rajonale dhe të vendosura në rrugën drejt integrimit evropiane dhe tjetri i atyre që po konsumojnë vëmendjen dhe burimet e të tjerëve në rajon teksa ngecin me sfidat e tyre”.

Sipas tij dallimet thelbësore janë se shtetet të cilat janë pjesë e NATO-s dhe që kanë përjetuar zhvillimet më të mëdha, janë ato që kanë tejkaluar sfidat e rivaliteteve etnike. Ato që vazhdojnë të kenë udhëheqje që besojnë se popullizmi, nacionalizmi e rivalitetet etnike janë rrugët përpara, janë ata që po përballen më shumë sfida”.

Lajçak: BE-ja nuk është e përkryer – por është ëndërr e shtetev që trokasin në dyert e saj

I dërguari evropian Miroslav Lajçak tha se Bashkimi Evropian është larg të qenit i përkryer por “është më i miri që kemi. Është bashkimi më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka një bashkim tjetër në këtë planet, që ka ofruar qëndrueshmëri politike e ekonomike më të mirë. Mendoj se anëtarësimi në BE është një ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e bllokut”, tha ai.

Qeveria e Kosovës është kritikuar nga diplomacia perëndimore dhe është vënë në masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veriun e saj ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të bojkotuara nga partitë serbe.

Perëndimi kërkon uljen e tensioneve përmes një plani evropian që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja dhe uljes së pranisë së njësive të posaçme të policisë në veri, krahas vendosjes së sundimit të ligjit.

Ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se çështja e papërmbushur është “tërheqja e njëkohshme e kryetarëve të komunave dhe njerëzve që ndodhen përreth ndërtesave të komunave”, duke ju referuar protestuesve serbë.

Reagime në Kosovë pas fjalimit të ministres Gërvalla

Përfaqësues të opozitës në Kosovë kritikuan fjalimin e ministres Gërvalla duke e cilësuar “të papërgjegjshme” deklaratën e saj për BE-në.

“Sa për referencë, ‘tigër prej letre’ i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të”, shkroi në rrjetet sociale nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

“Të mjerë dhe të rrezikshme” e ka cilësuar gjendjen diplomatike të Kosovës, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike, Sibel Halimi.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, shkroi mes tjerash se “më e pakta që do të duhej, është një deklaratë e Presidentes dhe Kryeministrit ku do sqaronin se ajo që ka thënë Ministrja e Jashtme, nuk është qëndrim zyrtar i Republikës së Kosovës”.

Opozita e kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për dëmtim të marrëdhënieve me aleatët, duke paralajmëruar veprime për të kundërshtuar qasjen e qeverisë ndaj krizës në veri të vendit./VOA