Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me ftesë të Presidencës belge të Këshillit të BE-së, Ministres së Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Jashtme, Hadja Lahbib, po merr pjesë në takimin ministror të BE-së në Bruksel, në 20-vjetorin e zgjerimit, kur 10 shtete të reja anëtare iu bashkuan Bashkimit Evropian në vitin 2004.
Gjatë sesioneve do të diskutohet rreth sfidave, nevojave dhe praktikave më të mira dhe reformave të sundimit të ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së.
”Në këtë takim, i cili mbledh ministrat e shteteve anëtare të BE-së dhe atyre me perspektivë anëtarësimi, Kosova do të paraqes të arriturat e saj në procesin e integrimit në BE, reformat e thella të ndërmarra në sundim të ligjit dhe fusha të tjera, të evokojë rreth proceseve nëpër të cilat po kalojmë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, njofton MPJD.
Bëhet e ditur se Gërvalla atje do të realizojë edhe takime bilaterale me Ministra të Jashtëm dhe të Çështjeve të BE-së për të diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, në veçanti rreth procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.