Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ministrja gjermane thotë se G7 duhet t’i “përgjigjet” sulmit të Iranit

Grupi i vendeve të industrializuara (G7) duhet patjetër t’i përgjigjet sulmit të Iranit kundër Izraelit, ka thënë të enjten ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Baerbock theksoi se ajo dhe homologët e saj janë duke biseduar për masat e mundshme kundër Iranit gjatë një takimi në Itali.

“Ne po bisedojmë për masa shtesë këtu në G7, sepse, natyrisht se duhet patjetër të ketë përgjigje ndaj këtij incidenti të paparë”, tha Baerbock.

Megjithatë, ajo shtoi se “nuk duhet assesi të ketë përshkallëzim të mëtejmë në rajon; i cili do të ishte fatal për popullsinë e tij”.

G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi të enjten se përshkallëzimi i tensioneve si pasojë e luftës në Rripin e Gazës dhe sulmit të Iranit kundër Izraelit, mund të çojnë drejt një “konflikti të përgjithshëm rajonal”.

Guterres tha se lufta e Izraelit në Gazë e ka krijuar një “skenë ferri humanitar” për njerëzit e ngecur atje.

Ai tha se llogaritjet e gabuara apo moskomunikimi i duhur “mund të çojnë drejt të konflikti të plotë dhe të papërfytyrueshëm rajonal”.

Irani tha se e kreu sulmin e 13 prillit kundër Izraelit si hakmarrje për sulmin e dyshuar izraelit ndaj një konsullate iraniane në Siri më 1 prill.

Izraeli është zotuar se do t’i përgjigjet sulmit të Iranit, pa treguar se si dhe kur.

Irani ka thënë se cilëson këtë çështje të mbyllur, por ka paralajmëruar se, në rast të hakmarrjes “qoftë edhe më të voglën” në territorin iranian, përgjigja e tij do të ishte “e jashtëzakonshme dhe e ashpër”./rel