Ministrja e e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari i konsideron si tendnencioze pretendimet se ministra që ajo e drejton, me rastin marrjes së licencës së Klan Kosovës ka për qëllim kufizimin e lirisë së medieve.
Nëpërmjet një postimi në profilin e saj në Facebook, Hajdari bëri të ditur se Komisioni për riverifikim të dosjeve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, në 10 ditët e fundit ka riverifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara, prej të cilave 48 dosje të bizneseve kanë emërtime kundërkushtetuese në të cilat është shkruar “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia” etj.
Për këtë arsye ministrja ka thënë se ARBK do të vazhdojë me zbatimin e ligjit edhe për këto rastet e tjera sikurse për Klan Kosova sh.p.k. dhe ARTMOTION sh.p.k.
Njoftimi i plotë:
Ligjshmëria në regjistrimin e biznesit në Republikën e Kosovës
Pas riverifikimit dhe pezullimit të certifikatave të biznesit për Klan Kosova SH.P.K. dhe ARTMOTION SH.P.K., Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë( MINT) nuk është ndalur vetëm me këto dy raste.
Me 6 korrik 2023, MINT ka themeluar Komisionion për riverifikim të dosjeve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), në veçanti të atyre me dokumentacione të dyshimta me emërtime antikushtetuese.
Përgjatë 10 ditëve gjatë këtij muaji korrik – 10.07.2023 deri më datë 19.07.2023, Komisioni ka riverifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK. Fokus i riverifikimit kanë qenë dosjet që kryesisht kanë prezantuar dokumentin personal me rubrikën vendi/shteti i lindjes, apo vendbanimi aktual me emërtime kundërkushtetuese.
Si rezultat i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj.
ARBK do të vazhdojë me zbatimin e ligjit edhe në këto 48 raste tjera, në të njëjtën mënyrë të trajtimit sikurse për Klan Kosova sh.p.k. dhe ARTMOTION sh.p.k.
Pretendimet se MINT ka vepruar me qëllim që të kufizojë lirinë e medias apo me prapavijë politike, janë tendencioze dhe plotësisht të pavërteta.
Si përherë, MINT është i përkushtuar ndaj zbatimit dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, pa kompromis, pa përjashtim dhe pa diskriminim.