Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), mbajti sot ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve për subvencionimin e 35 ndërmarrjeve për blerjen e makinerive prodhuese/përpunuese.
Në një komunikatë për media thuhet se kjo skemë është në funksion të zbatimit të politikës industriale dhe ofrohet për sektorët prioritarë të identifikuar gjatë analizës së performancës industriale dhe studimeve të zinxhirëve të vlerës për zhvillim industrial.
Ministrja Rozeta Hajdari me këtë rast ka përmendur edhe mbështetjen e deritanishme të 322 ndërmarrjeve përmes granteve, në vlerë 11.86 milionë euro, në avancimin e makinerive prodhuese, certifikimit të produkteve, fuqizimit digjital dhe trajnimeve për zhvillim të biznesit, ku 40% e përfituesve të granteve janë gra.
Përveç kësaj, ministrja Hajdari tha se janë mbështetur edhe 395 ndërmarrje në vlerë prej 12.4 milionë eurosh, të përzgjedhura nga MFPT për masën 2.1, me subvencionim të kredisë me 15% të shumës dhe për ato me 5% të shumës, duke u zotuar se përkrahja për bizneset do të jetë e vazhdueshme.
Subvencionet për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, kanë për qëllim rritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve prodhuese, rritjen e konkurrencës dhe eksportit, zvogëlimin e deficitit tregtar dhe hapjen e vendeve të reja të punës.