Shqipëria luan të hënën miqësoren e dytë përgatitore në kuadër të Euro 2024, kompeticion që do të zhvillohet në Gjermani (14 qershor-14 korrik). Kuqezinjtë e Sylvinhos duan të harrojnë humbjen 3-0 kundër Kilit.
Të njëjtën gjë tentojnë edhe nordikët, të cilët u mposhtën 5-2 nga Portugalia.Në “Friends Arena” të Stokholmit pritet një duel i fortë dhe i luftuar.
Stadiumi ka një kapacitet prej 50 mijë vendesh, ndërkohë që shtypi sportiv suedez raporton se deri tani janë shitur rreth 19 mijë bileta. Një pjesë e konsiderueshme nga tifozët shqiptarë. Shqipëria do të sfidojë Suedinë për herë të gjashtë në histori. Teksa kjo do të jetë miqësorja e dytë mes dy Kombëtareve.
Në pesë sfidat e mëparshme, vikingët kanë fituar tri prej tyre, një duel ka përfunduar në barazim, ndërkohë që kuqezinjtë numërojnë një fitore. Miqësoren e vitit 2004 me rezultatin 2-1 (Skela, Aliaj).