Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Miratimi i Projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Rron Gjinovci “thumbon” opozitën

 
   

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme me mbështetje të gjerë (60 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim).

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar këtë ligj si një hap të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se konfiskimi civil është një instrument legjitim dhe proporcional për të siguruar sundimin e ligjit.

Ajo sqaroi se projektligji nuk është i ri, por ka adresuar vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, duke përfshirë çështjet e retroaktivitetit të ligjit, qartësinë mbi periudhat kohore të verifikimit të pasurisë dhe respektimin e ndarjes së pushteteve përmes përbërjes së komisionit mbikëqyrës.

Haxhiu vuri në dukje se Gjykata nuk e ka refuzuar retroaktivitetin, por ka kërkuar zbatim proporcional dhe të kujdesshëm për të ruajtur balancën kushtetuese.

Projektiligji u miratua në mes kundërshtimeve të partive opozitare.

Lidhur me këto zhvillime, aktivisti Rron Gjinovci, ka thënë se opozita në Kosovë përdor sulme të përsëritura për akuza të hajnisë dhe keqpërdorimeve financiare, por zgjidhja më e mirë për këtë mbetet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, përcjell Bota sot.

Ai ka theksuar dallimin mes qëndrimeve, duke thënë se qeveria mbështet këtë mekanizëm, ndërsa opozita është kundër.

“Përgjigja për çdo akuzë për hajni e keqpërdorime financiare është: Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Na jena për. Ata janë kundër”, ka shkruar Gjinovci në një postim në Facebook./Botasot