Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare.
Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga prej atyre me të cilët janë ndarë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në Mitrovicë, ku një grua e ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ishte mbyllur me dhunë në banesë nga ish i dashuri i saj.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari përveç që e kishte mbyllur me përdorimin e forcës, ai paraprakisht e kishte sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Posa Policia është vënë në dijeni për rastin, kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku kanë arritur ta hapin derën e banesës në të cilën ndodhej viktima dhe e njëjta më pas u dërgua për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, vendim të Prokurorit të Shtetit është nxjerrë aktvendim për ndalim policor dhe inicim të rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.