Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mjekë nga Turqia me stafin vendor operuan 12 fëmijë në QKUK

Mjekët nga Turqia, në bashkëpunim me stafin e mjekëve dhe infermierëve nga klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë kryer 12 operacione kardiokirurgjike tek fëmijë dhe 26 raste në sallën e kateterizimit në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë.

Operacionet dhe ndërhyrjet e tjera po vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme.

Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, gjatë ditës së sotme ka pritur ekspertët nga Turqia, të cilët i ka falënderuar për punën e shkëlqyer që kanë bërë dhe po bëjnë në trajtimin e fëmijëve kosovarë.

“Gjatë takimit me mjekët dhe stafin tjetër nga Turqia, ata kanë shprehur kënaqësinë e tyre që patën mundësi t’i trajtojnë fëmijët nga Kosova, duke shprehur falënderimin edhe për stafin vendor të klinikave që janë treguar shumë bashkëpunues”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Ekipi i mjekëve po qëndron në Kosovë në bashkëpunim dhe mbështetje të organizatës Muntada Aid, Kabir Miah, kurse koordinimin punës e ka bërë dr. Ramush Bejiqi.

Sipas njoftimit një delegacion tjetër i mjekëve dhe ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet që në muajin shtator të vijë në Kosovë, për të operuar fëmijë të tjerë që kanë probleme me zemër.

“Këto bashkëpunime po mundësohen në kuadër të planit që ka Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK për trajtim të fëmijëve dhe zhvillim të shërbimeve që lidhen me ofrimin sa më cilësor të shërbimeve për qytetarët”, thuhet në njoftim.