Kreu i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, teksa ka folur lidhur me veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me veriun e vendit, ka theksuar se ai po tenton të shpërfaqë disa fitore para se ta formalizojë formimin e Asociacionit.
Sipas tij, pas draftit të Asociacionit, është e qartë se pranimi i targave në veri është në koordinim me Bashkimin Evropian për Kosovën dhe Serbinë.
“Kurti po tenton me ia paraqit disa fitore tash Kosovës, disa shpjegime para se me formalizu aktin e formimit të Asociacionit që është drafti i saj. Domethënë është e qartë se edhe pranimi i targave në veri është në koordinim me BE-në Kosovën dhe Serbinë, edhe pranimi i targave nga Serbia është po ashtu hap drejt saj”, ka deklaruar ai në Debat Plus.
Ai ka vazhduar me të thënë se shumëkush, përfshirë edhe mbështetësit e Kurtit, e kuptojnë se ky është një lojë taktike.
“Kurti po dëshiron ta ruaj autoritetin e kësaj pune, dhe lajmi do të jetë kështu, Serbia i ka përdorë targat serbe në veri si instrument për me marrë Asociacionin, Kosova është thënë nga të gjithë edhe nga Kurti indirekt, edhe nga mbështetësit e Kurtit në veçanti që po e përdor veriun targat zgjedhjen e krejt këto për mos me marrë Asociacionin, rezultati përfundimtar është që Asociacionin do të themelohet formalisht”, ka deklaruar Molliqaj.
Molliqaj beson se ky është epilogu i situatës dhe strategjitë e të dyja palëve po përfundojnë në favor të Serbisë.