Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Momenti rrëqethës kur babai polic, mësoi për vrasjen e efektivit Novruz Cenalia

Ngjarja e rëndë e ditës së djeshme në Fier, ku mbeti i vrarë 28-vjeҫari Novruz Cenalia, për babain e tij që punonte në sallën operative të policisë së Fierit, kanë qenë moment të tejet të vështira për të.

Babai i të ndjerit, fatkeqësisht mori lajmin tragjik të vrasjes së djalit efektivit të “Shqiponjave”, Novruz Cenalia, gjatë kohës që ndodhej në punë.

28-vjeçari, jeta e të cilit u ndërpre tragjikisht mesditën e së hënës në fshatin Baltëz të Fierit, do të përcillet paraditen e nesërme drejt banesës së fundit.

Por shkaqet për vrasjen e tij me një plumb në kokë në mes të rrugës, janë ende të paqarta.

Shumë pikëpyetje ka për vdekjen e efektivit të “Shqiponjave”, i cili të hënën po shkonte për në punë, kur u qëllua për vdekje me pistoletë nga Azgan Mërnica.

Ky i fundit, vetëm 23-vjeç, u arratis menjëherë pas krimit. Pavarësisht kontrollove të shumta në disa fshatra të Fierit ku dyshohet se ai fshihet, deri në këto momente arrestimi i tij nuk është bërë ende i mundur.

Duket se edhe thirrjet publike si ajo e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla një ditë më parë për t’u vetëdorëzuar, kanë rënë në vesh të shurdhët.

Autoritetet hetimore mësohet se kanë sekuestruar kamerat në zonë, në përpjekje për të zbuluar dinamikën e qartë të gjithçka ndodhi një ditë më parë, që çoi në ekzekutimin e Novruzit.

Me dhjetëra persona, kryesisht familjarë e të afërm të autorit të ngjarjes, janë marrë në pyetje.

Nuk dihet nëse ata kanë dhënë informacione të vlefshme për policinë. Policia ka vënë edhe një shpërblim prej 30 mijë eurosh, për këdo që do të japë informacione që do të çojnë në arrestimin e autorit të dyshuar.

Sa i përket arsyeve, pistat janë disa. Policia zyrtarisht insiston se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit. Por, pistë tjetër mbeten dhe ngjarje të shkuara e për pasojë, vrasja mund të ketë ardhur në shenjë hakmarrje apo gjakmarrje.

Si autori i dyshuar, ashtu sikurse viktima rezultojnë të dy me origjinë nga Hasi. Babai i viktimës, efektiv prej vitesh në radhët e policisë para viteve 2000, raportohet të ketë qëlluar për vdekje një person me rrezikshmëri të lartë, gjatë një operacioni policor.

Teksa vetë 23-vjeçari Azgan Mërnica nuk rezulton me precedentë penalë, vëllai i tij ndodhet aktualisht në burg, i akuzuar për vrasje.

Mbetet për t’u sqaruar se cila është arsyeja që 23-vjeçari i mori jetën efektivit Cenalia. Ishte një sherr banal i çastit që e çoi të hapte zjarr në drejtim të uniformës së policisë? Apo ngjarjet e së shkuarës e çuan të qëllonte në shenjë hakmarrje?