Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës ka takuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Kryetari i PShDK-së, Zef Morina tha se gjatë takimit, biseduan për situatën politike dhe atë të sigurisë ne vend, për të cilën ka akuzuar Qeverinë Kurti për keqqeverisje.
Morina u shpreh optimist se bashkë me LDK-në do fitojnë në zgjedhjet e ardhshme, pasi siç tha ai, vendi do të shkojë në zgjedhje shumë shpejtë.
Morina:Kosova nuk është në një situatë të mirë, shkaku i keqqeverisjes
“Kosova nuk është në një situatë të mirë, shkaku i keqqeverisjes. Kjo qeveri, e cila tashmë po i bënë gati tre vjet, asgjë të mirë nuk i ka sjell vendit. Shpresojmë se në zgjedhjet që do vinë, LDK dhe PSHDK-ja do e bëjnë bashkë qeverinë dhe Kosova do ec përpara ashtu siç ka qenë në kohen e presidentit, Ibrahim Rugova”, tha Morina.
Sipas Morinës, marrë parasysh punën e deri tanishme të kësaj qeverie, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Mes tjerash, Morina tha se në takim diskutuan edhe për sigurinë e vendit.
Morina:Biseduam edhe për sigurinë në vend e cila është alarmante, nuk është e mirë
“Biseduam edhe për sigurinë në vend e cila është alarmante, nuk është e mirë. Rinia është duke ik çdo ditë nga ky vend, nuk shohin perspektivë. Kuadri, inteligjenca e Kosovës është duke ik nga vendi, falë situatës jo të mirë ekonomike, politike dhe sigurisë në vendin tonë”, tha mes tjerash Morina.
Morina tha se bashkë me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, do të arrijnë që të kthejnë situatën që i nevojitet Kosovës, atë drejt Bashkimit Evropian.
Morina:Bashkërisht do arrijmë që do ta kthejmë situatën e cila i nevojitet Kosovës drejt BE-së
“Qëllimi ynë ishte bashkërendimi dhe bashkëpunimi me LDK-në. Partia Shqiptare Demokristiane ka qenë tradicionalisht bashkë me LDK-në. Kemi punuar së bashku dhe bashkërisht do arrijmë që do ta kthejmë situatën e cila i nevojitet Kosovës për një Kosovë drejt Bashkimit Evropian, jo një Kosovë që janë duke e udhëhequr me një orientim të turbullt nga kjo qeveri dhe institucionet e vendit”, përfundoi Morina.