Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Mos e mbytni një popull, që vetëm para 25 vitesh e shpëtuat”/ Vjen apeli urgjent për vendet që synojnë bllokimin e Kosovës në KiE

 
   

Një muaj pasi mori dritën e gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, më 16 prill, Kosova do të përballet me vendimin përfundimtar që pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave për anëtrësim në këtë   organizatë.

Deri më 16 maj, Kosova duhet të vazhdojë t’i bindë së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të saj përse duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës.

Dhe hapa pozitivë në këtë drejtim duket se janë pikërisht ata që çojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ditë më parë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se “në kontekstin e rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit”.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se Kosova duhet të bëjë hapa të prekshëm, që nënkuptojnë “dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim”, në mënyrë që t’i bindë qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ndërkaq, krerët e shtetit po vazhdojnë të këmbngulin se Kosova i ka përmbushur kriteret për anëtarësim në KiE.

Në lidhje  me këtë temë për gazetën “Bota sot” foli publicisti Gani Mehmeti, i cili tha se nisur nga sulmi terrorist në Banjskë, nuk është e vështirë të njhen vendet evropiane që e mbështesin Serbinë.

“Nëse nisemi nga proverbi popullor shqiptar: “Kallxom me kë rri, të kallxoj kush je,” nuk është vështirë të njohim se kush janë dhe me kë janë disa vende evropiane në raport me Kosovën dhe Serbinë. Është për të përkrahur se, shumë nga shtetet evropiane dënuan sulmin terrorist të Milan Radoiçiqit dhe Aleksandër Vuçiqit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, por ata mbetën vetëm në fjalë. Në vend të vendosjes së masave dhe sanksioneve ndaj Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, ata janë duke e favorizuar, qoftë në mënyrë direkte qoftë në mënyrë indirekte, ndërsa Kosovën e varfër, janë duke e varfëruar edhe më shumë.

Dhe, sa interesante është, kur për dinarin serb po luftojnë të gjithë e po ankohen në emër të popullit serb atje, si në BE ashtu edhe në SHBA, gjoja në mbrojtje të popullsisë serbe në veri të Kosovës me gjithë ato të drejta që nuk i ka askush në asnjë shtet. Por, një popull tjetër në Kosovë i kanë vënë masa dhe nuk e lëshojnë të ecin përpara, dhe as që i shkon mendja dikujt, qoftë nga BE qoftë nga SHBA (në këtë rast) të ankojë se këto masa janë të vendosura kundër popullit, jo kundër qeverisë, sepse qeveria, cila do qoftë ajo, nuk i vuan aq rëndë sa populli”, ka thënë Mehmeti.

 Sipas tij, përkundër masave, përkundër varfërisë së popullit në Kosovë, tani në vend që ta ndihmojnë, si nga BE, si nga SHBA, madje edhe me Gjermaninë e Francën në krye, përpiqen të bllokojnë pranimin e Kosovës në Këshillin Evropian!

“Dhe kjo vjen nga presioni dhe kërkesa e Vuçiqit tek këto dy shtete, sepse, ndoshta vetëm këto dyja së bashku mund ta pengojnë dhe ta bllokojnë pranimin e Kosovës në KiE. E di Vuçiqi ku fle lepuri! Është për të ardhur keq, se si po dëgjohet kërkesa e Vuçiqit tek këto dy shtete, në të cilat ne varnim shpresat se do na ndihmojnë! Tani, çfarë u ka premtuar Vuçiqi, mbetet të shihet në të ardhmen, por se u ka premtuar diçka si shumë – është më se e vërtetë. Se Asociacioni nuk ishte kusht për pranimin e Kosovës në KiE, e thanë vetë kohë më parë. E tha edhe vetë Bakojanis në raportin e saj të shkëlqyeshëm. Po e thonë edhe euro deputetë dhe deputetë shtetesh të ndryshme, qoftë edhe nga Gjermania se ky është një kusht politik, jo i Këshillit Evropian”, është shprehur ai.

Sipas Mehmetit këtu shihet qartë se punohet me dy “kute” në Bashkimin Evropian, gjë që është për keqardhje dhe  kështu, Bashkimi Evropian nuk mund të ketë jetë të gjatë.

“Nuk shkohet të bashkuar me teka, me padrejtësi e me inat. Parimet janë parime, ato janë rregulla, që nuk do duhej t’i thyente askush dhe për asgjë e për askënd.

Serbia ka frikë nga pranimi i Kosovës në KiE, prandaj jep edhe miliarda për të mos e pranuar, sepse kështu ia qet më lirë, se sa të paditet nga Kosova për gjenocid dhe për të paguar dëmet e shkaktuara gjatë luftës si agresor. Prandaj, bën çmos që të mos lejohet të pranohet në KiE. Habitem se si bëhen me të Gjermania dhe Franca, sepse nuk bën të bëhesh me të keqin, nga që ia merr një pjesë nga të këqijat e të ngarkohen. Ne do të vuajmë edhe sa të dojë Europa pa hyrë në Këshillin e Europës, deri sa t’u bëhet mjaft”, ka potencuar ai.

Në fund publicisti ka rikujtuar faktin se Evropa i ka shumë borxhe Kosovës.

“Europë, shqiptarëve u ke shumë borxhe, mos hyrë ende më thellë në to, se nuk i dihet ku të gjen e liga! Prandaj, deri sa ju e përkrahni Serbinë dhe Vuçiqin, deri sa ju rrini me të dhe e shtypni Kosovën, po shihet se edhe ju jeni sikur Vuçiqi. Edhe Vuçiqi është me Radojçiqin, Dodikun, edhe Vulinin, të dy këta të sanksionuar në listën e zezë nga DASH-i.

Nuk është logjikë e vështirë për ta kuptuar këtë. Ndoshta duket pakëz e rëndë kjo, por më e rëndë është kur ju bini pre e kërkesave të Vuçiqit që në qeveri ka futur njerëz të listës së zezë nga SHBA dhe kur Vuçiqi e mbron e bashkëpunon me Milan Radoiçiqin. Kjo është më e rënda. Mos e mbytni një popull, që vetëm para 25 vitesh e shpëtuat, mos kërkoni të jetojë me kriminelin!”, përfundoi ai.