Moska e ka futur kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, në listën e zezë të Rusisë për gjoja “shkatërrimin e monumenteve të ushtarëve sovjetikë”.
Ajo është liderja e parë e huaj që futet në listën e Ministrisë së Brendshme ruse, teksa marrëdhëniet mes Kremlinit dhe Perëndimit vazhdojnë të tregojnë shenja përkeqësimi.
Ky lajm u konfirmua të martën nga Ministria e Jashtme ruse, e cila, megjithatë, nuk tregoi se kur Kallas, si dhe sekretari i Shtetit i Estonisë, Taimar Peterkop, ministri i Kulturës i Lituanisë, Simonas Kairys, dhe rreth 60 nga 100 anëtarët e Parlamentit të kaluar të Letonisë u futën në listën e zezë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Kallasi kërkohet nga Moska për shkak të “përdhosjes së kujtesës historike”.
“Kremlini tani shpreson se ky vendim do të ndihmojë të më heshtë mua dhe të tjerët – por nuk do t’ia arrijë”, tha Kallas në një postim në rrjetin social X.
“Unë do të vazhdoj ta mbështes fuqishëm Ukrainën. Do të vazhdoj ta ngre zërin për forcimin e mbrojtjes së Evropës”, tha ajo, duke shtuar se vendimi i Rusisë nuk ishte “aspak befasues”, raporton REL.
Pre se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës para gati dy vjetëve, Estonia, Letonia, Lituania dhe shumë ish-republika sovjetike dhe anëtare të ish-paktit të Varshavës, i kanë shkatërruar monumentet e epokës sovjetike.
Tri vendet baltike u aneksuan nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940 dhe u okupuan nga Gjermania naziste, para se të binin përsëri nën sundimin e Moskës derisa e fituan pavarësinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991.
Këto tri vende tani janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, si dhe e mbështesin fuqishëm Ukrainën në luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse.
Kallas u bë kryeministre e Estonisë më 2021 dhe menjëherë u zotua se do t’i shkatërronte hiç më pak se 400 monumente të cilat shihet si trashëgimi e padëshiruar nga epoka sovjetike.