
Ardit Zymeri, 19-vjeçar u vra me armë zjarri nga një bashkëmoshatar të dielën mbrëma në Vushtrri. I dyshuari është kapur pak kohë pas aktit dhe është dërguar në mbajtje, ku thuhet ta ketë pranuar fajësinë. Motivi e vrasjes akoma nuk dihet, derisa autoritetet konfirmuan se hetimi ka nisur.
Ndaj të dyshuarit do të bëhet kërkesa për masën e paraburgimit dhe brenda afatit, do të mbahet seanca dëgjimore.
I dyshuari shtiu me armë zjarri në drejtim të 19-vjeçarit Ardit Zymeri mbrëmjen e së dielës në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Viktima u dërgua në Spitalin e Vushtrrisë, ku nga ekipi mjekësor u konfirmua vdekja e tij.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, tha se i dyshuari është ndaluar për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’.
Preteni shtoi se i dyshuari e pranoi fajësinë për kryerjen e vrasjes, gjatë dhënies së deklaratës.
Policia tha se si prova materiale ka gjetur tre gëzhoja dhe se e ka konfiskuar një revole që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari në kryerjen e vrasjes. Ndërsa në shtëpinë e të dyshuarit, ku është realizuar bastisje, është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë fishekë.
Policia e Kosovës, ndërkohë, tha se është duke i vazhduar hetimet në bashkëveprim me prokurorin e rastit, për t’i zbardhur të gjitha rrethanat që ndërlidhen me rastin e vrasjes.
Xhaxhai i viktimës, Nysret Zymeri, tha për media në vend se familja nuk e njeh dorasin dhe nuk ka pasur telashe me njerëz të tjerë.
“Nuk e dimë se si ka ndodhur. Të keqe nuk kemi pasur me askënd. Nuk kemi pasur me njeri të gjallë asnjë fjalë të keqe, ne nuk e kemi pritur… Kjo na ka ndodhur, informatën e kemi marrë mbrëmë, nuk e kemi njohur dorasin, as tani nuk e njohim”, ka thënë ai.