Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Muhamet Mustafa: Nuk ka asnjë arsye që çështja e dinarit të përfshihet në bisedime

 
   

Rregullorja e BQK-së, që ka filluar të zbatohet gjatë kësaj jave, ka ngjallur reagime të shumta.

Për profesorin e ekonomisë, Muhamet Mustafa, zgjatja e zbatimit të sistemit monetar dhe të pagesave në Kosovë, ku euro është valutë zyrtare, e ka toleruar operimin e strukturave paralele, respektivisht një sistem paralel të pagesave.

“Kërkesa për një solucion që nuk i dëmton njerëzit që marrin pagesa në dinarë nga Serbia por që duhet të konvertohen në euro dhe të hyjnë në sistemin monetar dhe tregun e blerjes së mallrave, është i nevojshëm dhe qëndrimi i BQK-së që të ketë një periudhë tranzicioni është me vend”, thotë Mustafa për RTK-Radio.

Sipas Mustafës, kjo çështje nuk është dashur të politizohet pasi euro është valutë e një bashkësie, ku synojnë të anëtarësohen edhe Kosova dhe Serbia. Ndërkaq euro është valutë stabile, nga e cila do të përfitojnë edhe vetë banorët serbë.

“Pak a shumë janë të fryra edhe kërkesat që do të ketë pasoja, unë nuk di çfarë pasojash mund të ketë. Dinarët që vijnë këtu në mënyrë legale në banka, shndërrohen në euro. Duke pasur euro në vend të dinarëve, edhe popullata serbe kanë më shumë mundësi të bëjnë zgjedhje”, thotë Mustafa.

Kërkesat e Bashkësisë ndërkombëtare që kjo të bëhet çështje e dialogut, Mustafa i quan tërësisht të panevojshme, pasi janë praktikat në botë të shndërrimit të një valute në valutën tjetër.

“Jam që procesi i shndërrimit të dinarëve që vijnë nga Serbia në euro të lehtësohet sa më shumë, të bëhet sa më miqësor, mos të kenë telashe njerëzit, qytetarët tanë të kombësisë serbe, por unë nuk shoh pse ajo duhet të politizohet kaq shumë dhe nuk shoh kurrfarë nevoje as çështjesh që do të duhej të merrnin kohën në bisedimet e Brukselit”, thekson Mustafa.

Sa i përket fillimit të pagesës së rrymës së shpenzuar nga banorët e komunitetit serb në veri, kjo është toleruar pa nevojë, pasi askund në botë nuk ka shërbime pa pagesë, ka thënë Mustafa.