Njohësi i çështjeve ekonomike, Arton Muhaxheri, ka thënë se ekziston rreziku që të ketë shmangie tatimore apo evazion fiskal me ndryshimin e Ligjit për pagën minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.
Ligji që përcakton pagën minimale neto prej 250 eurosh parasheh edhe ndryshime në shkallët tatimore. Deri tash, pagat tatoheshin sipas shkallëve tatimore nga 0 deri në 10 për qind për punën primare, ndërsa ato sekondare me mbi 10 për qind.
Për këtë, Muhaxheri ka thënë se sfida do të jetë në implementimin e këtij Ligji në sektorin privat.
“Ky vendim që është marrë për ta ndryshuar shkallën tatimore për të ardhurat personale, është një prej vendimeve që i ka marrë Qeveria Kurti në raport me premtimet që i ka dhënë në fushatën elektorale por që nuk është ekzakt forma sesi është premtuar, sepse ka hequr një shkallë prej katër për qind, që punonjësve në Kosovë t’u rritet paga për 6. 80 cent. Pra kjo ajo çka mund të përfitojnë punonjësit në vend. Mendoj që sfidë është implementimi në sektorin privat, për shkak se nuk mendoj që ata do të jenë në pozicion më të mirë sesa që janë institucionet publike”, ka thënë Muhxeri.
Ndonëse e quan lajm të mirë për punëtorët në vend, Muhaxheri ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që ta mbikëqyrin këtë ligj, pasi sipas tij bizneset për të fshehin deklarimet e pagave të punëtorëve.
“Kjo e stimulon evazionin fiskal, e stimulon ekonominë informale në Kosovë, ku shumë prej tyre tashmë në sektorin privat mund të manipulojnë me pagat e punonjësve dhe për këtë shteti duhet ‘i vendos nën kontroll që të mos dëmtohen as punëtorët dhe as bizneset me këto ndryshime fiskale, të cilët janë premtuar kohë më parë nga kryeministri Kurti. Është evident rreziku, për shkak se në sektorin publik nuk mund të manipulohet me paga, për shkak që çdo gjë është në sistem dhe në harmoni, ndërsa në sektorin privat ajo mund të ndodhë, një kapërcim, një fshehje e deklarimeve në paga kundrejt punëtorëve, por që ajo çka duhet të bëhet është vëmendja dhe gatishmëria për t’i kontrolluar bizneset private sesi po e respektojnë shkallën tatimore”, u shpreh Muhaxheri.