Veprimtari shqiptar nga Amerika, Ramazan Bekteshi në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka komentuar provokimet e vazhdueshme të Serbisë dhe kërcënimet e Aleksandar Vuçiqit ndaj Kosovës.
Së pari, ai u shpreh se Vuçiq është një politikan i papërshkrueshëm, që provokon në vazhdimësi Kosovën, e që për këtë fatkeqësisht nuk ndëshkohet nga ndërkombëtarët.
Për këtë, Bekteshi vlerëson se provokimet e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën janë kurthe për ndërkombëtarët dhe Kosovën në veçanti.
Sipas tij, Serbia zhurmën e bënë jashtë kufijve të Kosovës, pra në Serbi, por punët e rrezikshme në fshehtësi të plote në veri të Kosovës.
“Vuçiqi është një politikan i paparashikueshëm, i kalitur në mesin e Millosheviqit dhe Sheshelit dhe u shërbeu atyre me besnikëri dhe ishte pjesë e nomenklaturës që shkaktoi gjenocid e masakra të tmerrshme sidomos në Bosnje e Kosovë. Tani në kohën post-milosheviqiane/shesheliane rrugën e tyre të trasuar e vazhdon nxënësi i tyre, Vuçiqi me botën serbe në qendër dhe me miqtë e preferuar Rusinë e Kinën. Çuditërisht veprimet agresive të Serbisë ndaj fqinjëve të saj e në veçanti ndaj Kosovës kalojnë pa ndëshkim nga bashkësia ndërkombëtare.
Provokimet e ushtrisë serbe me dronë e kamikaz në kufi me Kosovën janë një mashtrim, janë kurthe për bashkësinë ndërkombëtare dhe për Kosovën në veçanti, sepse Serbia zhurmën e bënë jashtë kufijve të Kosovës, pra në Serbi, por punët e rrezikshme në fshehtësi të plote në veri të Kosovës. Serbia është e vetëdijshme se nuk ka shanse të matet me NATO-n dhe një sulm frontal i ushtrisë serbe drejtë Kosovës do të ishte fatal për vetë Serbinë, andaj është edhe i pamundshëm. Thuhet se disa elemente kriminale serbe nga veriu kanë ikur në Serbi pas Banjskës, kjo dhe mund të jete e vërtetë, por, ata janë në gjendje për një kohe të shkurtë të rigrupohen në Kosovë pasi që kufijtë e Kosovës me Serbinë janë të gjatë dhe poroz, dhe kriminelët i dinë të gjitha vrimat e pakontrolluara që të penetrojnë, derisa, sa për armatim, ata i kanë mbushur me arsenal shtëpitë, kasollet dhe kishat për 20 vite të papenguar”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Bekteshi potencoi se Serbia i sakrifikon edhe qytetarët e saj serbë, vetëm që t’i realizojë qëllimet e saj të errëta për Kosovën.
Veprimtari shqiptar nga Amerika, Ramazan Bekteshi
Veprimtari potencoi se një nga synimet kryesore të Beogradit, është që Kosova të duket keq para aleatëve të saj ndërkombëtareë.
“Inskenimet perfide serbe janë shumë të mundura në veri të Kosovës. Serbia është në gjendje t’i sakrifikoj qytetarët e pafajshëm serb, vetëm per t’i arritur qëllimet e errëta serbe si që ka ndodh edhe në të kaluarën. Dhe ata mezi presin një ngjarje, protestë, një revoltë apo pa dëgjueshmëri qytetare, presin një kontroll rigoroz, bastisje nga PK-ja që të eskaloj situata në dhunë dhe të shfrytëzojnë rastin që të vetë flijojnë qytetarët e vet. Pra, qëllimi i tyre është që Kosova të duket keq para bashkësisë ndërkombëtare me qëllim që Serbia të kërkoj mbrojtje ndërkombëtare të qytetarëve të saj, sepse ata tani i ruan PK-ja dhe regjimi serb është i pakënaqur. Pra, ëndërr e tyre është ndërkombëtarizimi i veriut të Kosovës dhe pastaj në një fazë tjetër nëse e lejojnë rrethanat ndërkombëtare të kërkojnë shkëputjen e që është ambicia e Vuçiqit dhe Botës serbe. Pra, me Vuçiqin në krye, Serbia nuk ka heq dorë nga ndarja e veriut të Kosovës. Zaten, projekti i ndarjes që e filluan Vuçiqi, HTH dhe Rama mund të kthehet në lojë nëse rrethanat politike ndërkombëtare ndryshojnë. Mund të ndodhë një moment shumë i frikshëm për Kosovën nëse Ramën francezët do ta inkuadronin në dialogun Kosovë-Serbi”.
Në vazhdim, ai shtjelloi historikun e zhvillimeve në veri të Kosovës, ku tha se kjo pjesë e vendit tonë nuk e ka rrezikun nga një luftë frontale nga Serbia por nga tradhtia e shqiptarëve të shitur apo të paditur.
“Francezët me ndihmën e politikanëve tanë ia kane dal që veriun mos ta kontrolloj Kosova me vite, bilës HTH tentoi ta ndaj Kosovën. Rama si përkrahës i Vuçiqit dhe HTH, kritik i qeverisë së Kosovës dhe politikave të saja i ka dhëne krah Vuçiqit në kohë kritike për Kosovën, duke kërkuar që veriun ta kontrolloj KFOR-i dhe jo PK-ja, bilës veriun e ka quajte si “Toke e askujt”. Rama vazhdon të shfrytëzoj miqësinë dhe përkrahjen e PDK-së dhe heshtjen e LDK-së, bilës Haziri i LDK-së e quajti lajm të mirë involvimin e mundshëm të Ramës në dialog propozuar nga Macron. Z. Haziri ka qenë njeriu i vetëm nga LDK-ja që ka kërkuar këmbim territoresh me Serbinë. Rama me dredhitë e tija vazhdon ta mbaj të gjallë Ballkanin e hapur të Vuçiqit me Ahmetin dhe Abazoviqin (në fillim). Këta tre shqiptarë së bashku me Vuçiqin ia vuan themelet kësaj krijese Serbo-ruse. Prandaj veriu i Kosovës nuk e ka rrezikun nga një luftë frontale nga Serbia por nga tradhtia e shqiptarëve të shitur apo të paditur si dhe nga sulmi i brendshëm që mund të vij nga organizatat kriminale e terroriste që veprojnë në veri si: “Brigada e Veriut,” “Mbrojtja Civile,” “Lista Serbe,” “Rojat e Urës,” ”Grupi Mjekroshët,” “Lëvizja Zavetnici,” “Lëvizja për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë,” “Pokret 1389,” e shumë të tjera në formim apo transformim konform situatës që e kërkon Vuçiqi dhe Rusia”, shpjegoi ai.
Më tej, veprimtari nga Amerika vlerësoi se tani është i pamundur një sulm nga Serbia, por është shumë i mundur nga brenda veriu i Kosovës.
“Veriu i Kosovës i lënë anash edhe nga bashkësia ndërkombëtare për do kohë deri sa ndodhën sulmet e huliganëve serbë shumica të ardhur nga Serbia ndaj KFOR-it (që fatkeqësisht reagimi për kontroll të turmave ishte i dobët), rrëmbimi i policëve shqiptare nga territori ynë, dhe agresioni paramilitar serb në Banjskë e ndryshuan situatën në veri. Tani është i pamundur sulmi nga Serbia por shumë i mundur nga brenda veriu i Kosovës. Tani, kufijtë e Kosovës me Serbinë i kontrollojnë edhe Britanikët, pra është shtuar numri i ushtarëve të KFOR-it dhe pajisjet e nevojshme luftarake.
Dy javë më parë Gjeneral Cavoli, Komandanti Suprem i NATO-s në Evropë, dëshmoi para Senatit të SHBA-së ku tha se ka autorizuar inteligjencën ajrore, mbikëqyrjen dhe zbulimin, për të monitoruar kërcënimet ndaj Kosovës dhe Bosnjës si dhe rishikim i KFOR-it, ku NATO do të dërgojë pajisje të rënda, dhe më shumë trupa në Kosovë”, nënvizoi Bekteshi.
Ndër të tjera, ai shtoi se veriu ka potencial shpërthimi nëse bashkësia ndërkombëtare nuk merr masa ndëshkimi ndaj Serbisë.
“Në anën tjetër, Rusia ka angazhuar Dodikun që të destabilizoj Federatën e Bosnjës sepse i nevojitet një situatë e tille, derisa Vuçiqin për të destabilizuar veriun. Ai posa e kreu destruksionin e fundit për të bojkotuar referendumin në veri dhe për të blerë kohë shtesë, sepse Rusisë i duhen fronte të reja lufte për të realizuar planet hegjemoniste. Veriu mbetet me potencial shpërthimi nëse bashkësia ndërkombëtare nuk merr masa ndëshkimi ndaj Serbisë. Mos shpallja e Listës serbe organizate terroriste dhe përgatitja e saj të vij në pushtet në veri me agjendë të Vuçiqit do t’i shkaktoj telashe të reja Kosovës. Tani Kosova e ka shansin historik në dorë, por me politikanë kleptokratë, si në Kosovë, Shqipëri e MV, Kosovës martire sikur ia errësojnë rrugët”, përmbylli Ramazan Bekteshi për “Bota sot”.