Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Murati: Skemat sociale dhe pensionale, do të hiqen kriteret diskriminuese

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, po raporton në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi në lidhje me strategjinë për skemat sociale dhe pensionale si dhe planet për këtë fushë.

Me këtë, rast i pari i dikasterit të Financave tha se përmes ligjit në të cilin janë duke punuar, do të hiqen kriteret diskriminuese që kanë qenë deri tani.

“Ne kemi filluar punën sapo është ratifikuar marrëveshja. Tani jemi në këtë fazë, është bërë njësia implementuese e projektit dhe është duke u punuar. Jemi duke punuar me Bankën Botërore për pilotimin. Sivjet do të nis pilotimi. Ligji është drejt finalizimit dhe do ta keni shumë shpejt para jush. Ligji parasheh heqjen e kritereve diskriminuese siç kanë qenë në kategori. Ka edhe mekanizma shtesë që kemi synuar ti përfshijmë në ligj, e që është edhe inkurajimi për të punuar.”, tha ministri Murati.

Por kritika për punën e bërë deri tani në skemat sociale dhe pensionale pati deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

“Keni premtuar rikonstrurimin e skemave pensionale dhe sociale, por ky projektligj për skemat prej vitit 2021 vazhdon të bartet në çdo program legjislativ të qeverisë. Keni premtuar ridijzanim të skemave për punësim sezonal për familjet me asistencë sociale. Keni premtuar së paku punësimin e një anëtari të familjeve që janë me asistencë sociale. Por zero deri tani. Të varfërve vazhdon të ju përkeqësohet gjendja, ndërsa oligarkët dhe bankat kanë shifra të dyfishuara të përfitimeve. Në vitin 2021 keni premtuar se do të bëni reformën pensionale dhe tani kjo as nuk është në agjendë legjislative”, theksoi ai.

Mostrajtim adekuat të skemave pensionale tha se ka pasur edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

“E keni shndërruarr këtë në një sektor të shpërndarjes së parasë publike, njëfarë lëmoshe për gjithë këto kategori. Nga paaftësia për të shpenzuar buxhetin në projekte kapitale, ju i falet nga 100 euro për disa kategori, pa selektim të qytetarëve në nevojë”, shtoi ai.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj kërkoi bashkërendim të veprimeve sa i përket skemave sociale

“Sa pensionistë kanë fituar me reformën që e keni bërë në skemat pensionale?. Unë kam informata se plotë prej tyre kanë mbetur jashtë për arsye të ndryshme. Janë në pyetje disa udhëzime administrative që keni premtuar se do të ndërrohen por nuk është bërë. Për skemat sociale duhet të ngrihet zhurmë dhe të kërkojmë bashkërëndim. Thatë që programin e keni në pilotim a sipër, a po ju duket që është vonë për me e nis pas tri vitesh një pilotim”, shtoi ai.

Reformë të skemave sociale kërkuan edhe deputetë të mazhorancës.