Ministri i Financave, Hekruan Murati ka deklaruar se gjatë vitit paraprak ka patur rënie në vlerë aboslute sa i përket borxhit publik, për çfarë tha se si qeveri janë munduar të stabilizojnë këto shifra. Pas kësaj deklarate, kritika patën edhe deputetët nga partitë opozitare, pasi sipas tyre, borxhi publik nuk ka shënuar rënie.
Në mbledhjen e Komisonit për Buxhet, në të cilin po raportojnë ministri Murati dhe përfaqësues të Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore lidhur me realizimin e të hyrave për vitin e kaluar, Murati ka theksuar se borxhi publik në vitin 2023 ka qenë 17.2 për qind e GDP-së, ndërsa ka shtuar se përqindja e disbursimit është rreth 40 për qind, ndërsa ka thënë se vlera e kredive të ratifikuara është në vlerë rreth 300 milionë euro.
Murati: Në vitin paraprak kemi pasur rënie në vlerë absolute të borxhit, në krahasim me vitin 2022
“Si qeveri jemi munduar që të stabilizojmë borxhin publik, e madje në vitin paraprak kemi pasur rënie në vlerë absolute të borxhit krahasim me vitin 2022, dhe për me tepër rënia është theksuar edhe më tej në terma relativ, pra kur krahasohet si borxh ndaj bruto prodhimit vendor. Nëse flasim me shifra konkrete, pra borxhi ndaj GDP-së në vitin e kaluar është mbyllur me 17.2 për qind e GDP-së në krahasim me vitin 2020 që ka qenë 22.44 për qind. Nëse shihet trajektorja, që nga viti 2020 e këtej ka pasur rënie të vazhdueshme të borxhit publik, por vitin e fundit sidomos ka pasur rënie edhe në vlerë absolute, pra duke reduktuar kryesisht vlerën e letrave me vlerë të emetuara nga Qeveria, kjo si përgjigje ndaj rrethanave të jashtme që kanë qenë, e që kanë të bëjnë me rritjen e normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane e që kjo në terma makroekonomik rezulton edhe më një shtrëngim në kreditim të ekonomisë reale. Si qeveri jemi fokusuar që huamarrjen apo nevojat e financimit t’i përmbushim nga burime të jashtme, pra nga kreditor apo institucione financiare ndërkombëtare multilaterale. Pra, kemi pasur maturim të 141 milionë eurove të letrave me vlerë, gjë që edhe ka rezultuar në reduktimin e nivelit të borxhit publik”, tha Murati.
Gjatë raportimit, Murati tha po ashtu se norma mesatare e interesit sillet tek 2.4 për qind përkundër faktit që ka pas rritje rapide të normës së interesit nga Banka Qendrore Evropiane në mënyrë që të adresohet problemi i inflacionit.
Ai shtoi se aktualisht Kosova ka nivelin më të ulët të borxhit në shtetet evropiane.
Murati: Aktualisht kemi nivelin më të ulët të borxhit në shtetet evropiane
“Sa i përket normës së interesit, norma e saj mesatare sillet tek 2.4 për qind përkundër faktit ka pas rritje rapide të normës së interesit nga Banka Qendrore Evropiane në mënyrë që të adresohet problemi i inflacionit. Mirëpo, shumicën e huamarrjes e kemi në kredi afatgjata dhe me norma fikse të interesit, kështu pavarësisht luhatjes së normave në treg, kanë normë të fiksuar, dhe kostoja kësisoj mbetet e përballueshme. Ka shtete në rajon që vitin e kaluar kanë paguar rreth 500 milion euro vetëm interes, kurse ne si Republikë e Kosovës kemi paguar 42 milionë euro, pra ka shtete që paguajnë dhjetëfishin. Gjithashtu edhe nga aspekti valutor ka ekspozim kryesisht në valutën euro mbi 90 për qind, pjesa tjetër është kryesisht me valutën e fondit monetar ndërkombëtar që më tepër është një shportë valutash të tjera. Si dhe edhe tek çështja e borxhit afatgjatë, pra, koha mesatare e maturitetit është 5.7 vjet për tërësinë e borxhit… Aktualisht kemi nivelin më të ultë të borxhit në shtetet evropiane”, shtoi Murati.
Lidhur më këtë, kritika pati nga deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, i cili ka kërkuar nga ministri Murati t’i citojë shifrat saktë, pasi sipas tij, nuk ka ulje të borxhit nga kjo qeveri.
Hoti ka pyetur ministrin për vlerën e kredive që janë ratifikuar në Kuvend gjatë mandatit të kësaj qeverie, e po ashtu edhe për disbursimin.
Për këtë, Murati ka thënë se shifra e ratifikimit të marrëveshjeve kap vlerën rreth 300 milionë euro.
Murati: Përafërsisht do duhej të ishte diku tek 300 milion euro vlera e kredive të ratifikuara
“Përafërsisht do duhej të ishte diku tek 300 milionë euro… Nga një kalkulim që kam pasur para disa muajve, kanë qenë diku rreth 40 milionë euro më shumë të disbursuara sesa që kanë qenë të ratifikuara… (Përqindja e disbursimit) do duhej të ishte tek 40 për qind duke pas parasysh që këto janë projekte disavjeçare, dhe nuk mund të pritet që vitin e parë ose të dytë të disbursohet çdo gjë. Shumica shkojnë në periudha pesëvjeçare, është një disbursim goxha i kënaqshëm sepse ka pasur progres”, është përgjigjur Murati.
Hoti ka shtuar se pavarësisht marrëveshjeve që po ratifikohen në Kuvend, nuk është se ka progres nga ana e qeverisë, për çfarë akuzoi ministrin që nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Sipas tij, nëse krahasohen shifrat e vitit 2019, sot janë 462 milionë euro më shumë borxh publik.
Hoti: Citoj shifrat saktë, nëse krahasojmë me vitin 2019, sot janë 462 milion euro më shumë borxh publik
“Ne po ratifikojmë marrëveshje në Kuvend por nuk është se po bëhet progres, nuk është bërë progres i duhur edhe në marrëveshjet paraprake, gjatë këtij mandati nuk ka një progres të madh në këtë drejtim sa i përket planit të disbursimit… Nëse e merreni vitin 2019, besoj se kjo duhet të merret, sot kemi 462 milionë euro më shumë borxh publik, nuk po them se është keq, por t’i citojmë shifrat saktë…Nuk e ke ulë borxhin publik, e ke mirëmbajtur një praktikë të mirë, të etabluar nga qeveria e Kosovës në mbështetje të partnerëve ndërkombëtar, Fondi Monetar në veçanti. Bile ti ke qenë një ndër personat kyç në huazimet gjatë qeverive të kaluara, vet i jep kredi edhe vetes edhe realitetit…Puna jote në borxhin publik shenjë nuk ja ka lënë këtij vendi, asgjë nuk ke bërë, 17 për qind e ke gjetur”, ka pyetur Hoti.
Për këtë, Murati ka thënë se është hera e parë në histori të këtij vendi që ka ulje të nivelit të borxhit publik.
Murati: Është hera parë në histori të këtij vendi që ka ulje të nivelit të borxhit publik”
“Jo, 22 për qind e kam gjet, aq e kam gjet unë… Është hera parë në histori të këtij vendi që ka ulje të nivelit të borxhit publik”, tha Murati.