Vedat Muriqi e ka konfirmuar edhe një herë vendimin e tij për të qëndruar tek Mallorca.
Ylli kosovar kishte nënshkruar kontratë afatgjate vitin e kaluar dhe krejt fokusin e ka tek klubi ishullor spanjoll, shkruan “Gazeta Express”.
Ditë më parë, 29 vjeçari deklaroi se nga Mallorca do të largohej nëse ndonjë klub do të ishte i gatshëm ta paguajë klauzolën e shkëputjes së kontratës së tij.
Por, në intervistën e fundit të dhënë në Austri, aty ku me ekipin po e kryen fazën përgatitore, përfaqësuesi kosovar u duk se i ka idetë e qarta rreth së ardhmes.
“Unë nuk dua të largohem dhe nuk dua që Mallorca të më shesë”, deklaroi Muriqi për “Diario de Mallorca”.
Madje, ai ka aspirata të mëdha me ekipin e La Ligas.
“Shpresoj ta kemi një vit edhe më të mirë. Do të ishte një ëndërr ta fitojmë Copa del Rey dhe të luajmë në Evropë”, nënvizoi tutje ai.
Muriqi i realizoi 15 gola në sezonin e kaluar në kampionatin spanjoll dhe 5 të tjera paraprakisht në gjysmë edicioni sa ishte i huazuar nga Lazio.
Me 20 gola në total në ligën spanjolle, ai po shkon me hapa të sigurt drejt thyerjes së rekordeve.
Sidoqoftë, prizrenasi nuk e sheh ende veten një legjendë e ekipit spanjoll, shkruan “Gazeta Express”.
“Unë nuk ndihem yll i ekipit, nuk kam bërë ende asgjë”, përfundoi Muriqi.
Për ish-futbollistin e Fenerbahçes dhe të Lazios thuhet se interesim kanë shfaqur klubet e La Ligës, të Premierligës, në Serie A dhe në Superligën turke.