2
Musa Hoti është modeli më i mirë i atdhetarit, shembull se si jetohet, punohet, kontribuohet dhe sakrifikohet për lirinë dhe pavarësinë e popullit dhe të vendit të vet. Ai vret një dhe plagos tre punëtorë të sigurimit jugosllavë në Bruksel.
“As sot e kësaj dite nuk e kam të qartë se si ia dola që me dy plumba ta vras një dhe t’i plagos tre serbët që më sulmuan”.
Shkruan: Akademik Frashër Demaj
Musa Hoti u lind më 11 korrik 1946, në Mitrovicë.
Rridhte nga një familje tradicionale shqiptare. I edukuar me njerëzi e urti, duke parë e dëgjuar ngjarje e tregime për të atin e gjyshin dhe bashkëmendimtarët e bashkëluftëtarët e tyre ndër vite, Musa po krijonte një përfytyrim të qartë për pozitën e popullit të tij të vuajtur në Jugosllavi dhe për përpjekjet e pareshtura të breznive ndër vite për liri e bashkim kombëtar.
Në shkollën fillore Musa dallohej si nxënës i shkëlqyer në mësime, me prirje për prozën e poezinë dhe artet në përgjithësi.
Dhe, përderisa ai ende nuk e kishte kaluar fazën e fëmijërisë, filloi ta njohë e përjetojë dhunën e shtetit të Jugosllavisë. “Drejtësia” jugosllave i kishte në shënjestër familjet që gjatë historisë kishin treguar vendosmëri e atdhetarizëm. Në këtë kuadër Prokuroria kishte ngritur aktakuzë kundër babait të tij, Dautit, shkaku se ai kishe qenë bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës.
Dauti edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore bënte pjesë në grupet patriotike të kohës, të cilat ishin të dëshpëruara me pozitën e Kosovës dhe popullit shqiptar.
E, në këtë valë dhune kundër shqiptarëve, organet e ndjekjes arrestuan dhe e burgosën Dautin, me aktakuzën për “veprimtari armiqësore”, prishje të frymës së bashkim-vëllazërimit dhe cenim të rendit kushtetues të RSFJ-së.
Në akuzën e ngritur ndaj Daut Hotit, thuhej: “Për veprimtari armiqësore kundër popullit dhe shtetit”.
Burgosja e babait, bastisjet e shtëpisë, dhuna fizike e psikologjike, Musa Hotit i lanë gjurmë të thella dhe të pashlyera.
Dhe krejt, natyrshëm, të gjitha këto së bashku, nxiten urrejtjen për Serbinë e Jugosllavinë dhe forcuan edhe më tej idealin për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë.
Musa sa më shumë që rritej, aq më qartë e kuptonte se dhuna ndaj babait dhe familjes së tij, si dhe ndaj shumë familjeve të tjera shqiptare, ishte me motive politike dhe përpjekje e vazhdueshme për ta ndëshkuar dhe ngulfatur atdhedashurinë e shqiptarëve për Kosovën dhe për kombin.
Si nxënës i shkollës se mesme në Mitrovicë, Musa përjetoi sërish atë ndjenjën e keqe të përndjekjeve politike. Tani cak i policisë ishin bërë disa profesorë të shkollës, si: Veton Gjika, Mustafa Muni dhe Mustafa Venhari, të cilët shërbimi sekret jugosllav i likuidoi, kurse disa të tjerë, si: Murat Bejtën, Latif Berishën, Ahmet Malokun e Muhamed Kërveshin, i mbante gjithë natën në burg, duke i torturuar, kurse ditën i lironte thua se s’kishte ndodhur gjë.
Pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968
Në vitin shkollor 1966/67 Musa filloi punën mësues në shkollën tetëvjeçare “Rilindja” në Dobroshevc të Drenasit, ngase në Mitrovicë dhe rrethinë nuk mund të punësohej shkaku i biografisë familjare dhe i “karakteristikave irredentiste”. Pakënaqësia dhe kërkesat e shqiptarëve për t’i gëzuar të drejtat si të gjithë popujt e Jugosllavisë dhe për t’u respektuar të drejtat e tyre kombëtare, i nxitën shqiptarët në konkretizimin e kërkesave politike.
Kërkesat politike të shqiptarëve u shfaqën hapur në demonstratat e vitit 1968 në shumë vise të Kosovës. Musa Hoti ishte pjesëmarrës aktiv i këtyre demonstratave.
Në një intervistë të dhënë para se të vritej ai, përshkruante gjithë përpjekjet e plejadës së tij për liri e bashkim kombëtar. Aty përshkruante edhe pjesëmarrjen e tij në demonstratat e 68-së dhe, në mes tjerash, theksonte: “…Më 27 nëntor 1968, me trenin e pasdites, u kthyem në Fushë-Kosovë e prej aty vazhduam për në Prishtinë me Haxhi Gashin, Enver e Haki Berishën, Musli Elshanin, Emine Rakovicën, mësuese në Bardh të Madh, me vëllanë e së cilës, me Hilmi Rakovicën (dëshmor), isha në lidhje organizative.
Kur turma e pafund zbriti nga Fakulteti Filozofik, iu bashkëngjitëm demonstruesve në mënyrë spontane. Pas vrasjes së Murat Mehmetit, demonstruesve iu bashkëngjitën turma nxënësish të shkollave të mesme, punëtorët dhe qytetarët e Prishtinës. Ky manifestim mori përmasa gjithë popullore.
Demonstruesit, që i prinin manifestimit të dalë nga kontrolli, thyen të gjitha vitrinat e dyqaneve në të dy anët e rrugës (tani “Nëna Terezë”) dhe ndonjë veturë zyrtare aty-këtu.
Në tri javët e ardhshme, me propozimin e Hilmi Rakovicës, u mora me organizimin e demonstratave që nga Tetova deri në Manastir”.
Musa Hoti punonte në Drenas. Ishte banor i Mitrovicës, por banonte në Prishtinë. Prandaj, në një farë mënyre, u “kishte humbur gjurmë” organeve të ndjekjes dhe pushtetit.
Por, kjo situatë nuk zgjati shumë, meqë atëbotë institucionet politike dhe pushteti i Gllogovcit (Drenasit) e shpallën person të papërshtatshëm politikisht.
Musa, pasi u largua nga Gllogovci, filloi punën në Obiliq, por pas një viti punë, me urdhër të Komitetit, e larguan nga shkolla “Migjeni”.
Më pas u punësua në Mitrovicë, në Qendrën Teknike “Boris Kidriç”, por as aty nuk gjeti rehati. Punëtorët e Sigurimit Shtetëror e maltretonin dhe torturonin dhe si pasojë e maltretimeve psikike e fizike Musa u detyrua të largohet dhe të marrë rrugën e mërgimit.
Musa Hoti largohet nga Kosova
Meqenëse Musa ishte vënë në shënjestër dhe ndiqej nga organet e sistemit të sigurimit jugosllav, atij nuk i mbetën shumë alternativa. Dy ishin zgjidhjet që mund të bënte: ose të vuante burgun e rëndë për botëkuptimet e tij politike dhe aktivitetet kombëtare ose të largohej përkohësisht nga Kosova. Dhe, u largua nga Kosova për t’u vendosur në Belgjikë.
Edhe atje vazhdoi veprimtarinë politike e patriotike në shërbim të Kosovës dhe kombit shqiptar. Në mërgim Musa Hoti gjeti një diasporë të përçarë ideologjikisht, me probleme të shumta, me akuza e kundër akuza ndaj njëri-tjetrit, me dyshime për “spiunë” e UDB-ashë të përhapur në klube e shoqata shqiptare.
Të shumtën e rasteve dyshimet ishin të pa bazua, por, në anën tjetër, duhet sjellë në vëmendje se shteti jugosllav kishte infiltruar shumë punëtorë të sigurimit shtetëror për të përcjellë aktivitetet e shqiptarëve në Evropë. Pra, ishte një situatë shumë e paqartë dhe delikate, ku vështirë ishte të dihej e të dallohej kush është me mision kombëtar e kush ishte spiun i UDB-ës, meqë të gjithë trumpetonin idenë e patriotizmit, secili më patriotë se tjetri në deklarata e në dalje publike.
Sepse, ata që kishin për mision spiunimin, duhej të shtireshin si patriotë të devotshëm, përndryshe nuk mund të hynin thellë në organizata e grupe revolucionare për t’i zbuluar e denoncuar, madje edhe për t’i vrarë, siç ndodhi me shumë atdhetarë: Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën, Enver Hadrin etj.
Musa Hoti, sikurse shumica e të ardhurve nga Kosova në kurbet, kishte ideologji majtiste. Kishte individë që prireshin me ide të ekstremit të majtë, grupe marksiste-leniniste. Këto grupe dalloheshin edhe për nga emërtimi, si, për shembull, Fronti i Kuq, Lëvizja Marksist Leniniste etj.
Musa Hoti kishte arritur në Bruksel më 9 nëntor të vitit 1978. Aty kërkonte strehim të përkohshëm, të paktën, derisa të pushonin ndjekjet e pushtetit ndaj tij.
Dhe, si të gjithë të tjerëve që kërkonin strehim politik në Belgjikë, ashtu edhe Musait, Komisariati për Refugjatë Politikë ia lëshoi fillimisht një letër të thjeshtë, me të cilën mund të shëtiste kudo në territorin e shtetit belg, por me këtë dokument nuk kishte të drejtë të dalë jashtë Belgjikës.
E, me kalimin e kohës, i kishte rregulluar të gjitha dokumentet që i mundësuan të kishte leje të përhershme qëndrimi në shtetin belg.
Dhe, meqë Musa u rehatua në Belgjikë, mori atje edhe familjen e vet të ngushtë.
Aktiviteti i Musa Hotit në Bruksel
Aktivitetin politik e atdhetar Musa Hoti e vazhdoi edhe në Bruksel, madje me intensitet të shtuar. Ai ishte anëtar i KQ të Lëvizjes, forum ky shumë i rëndësishëm që merrte vendime të ndryshme në favor të çështjes për të cilën ishin bashkuar.
Musa Hoti ishte ndër njerëzit kryesor përgjegjës dhe aktiv për formimin e grupeve politike në Belgjikë, madje ai kishte arritur të krijonte grupe e lidhje edhe në vende të tjera të Evropës, si dhe në SHBA.
Pas ngjarjeve të pranverës së vitit 1981, një numër i madh i emigrantëve shqiptarë u angazhuan që ta ringjallin emigracionin në Belgjikë. Me këtë pretendohej që të bëhej një organizim më i mirë politik për t’i dhënë shtytje, jo vetëm kërkesave qytetare e kombëtare të studentëve në Prishtinë, por edhe të sensibilizohet opinioni perëndimor për pozitën tejet të rëndë të shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavi.
Kjo situatë vuri në veprim UDB-ën që të jetë edhe më aktive në ndjekjen e aktivistëve shqiptarë në Evropë. UDB-a planifikonte të vriste e likuidonte aktivistët shqiptarë, t’i frikësonte dhe t’ua pamundësonte të tjerëve t’i bashkëngjiteshin aktivitetit politik në shërbim të Kosovës dhe interesave të popullit shqiptar në Jugosllavi.
Në këtë shënjestër sigurimi jugosllav kishte piketuar edhe Musa Hotin. Përpjekjet për të likuiduar Musën dhe detajet e ngjarjes ku ai vrau një dhe plagosi 3 të tjerë, i shpjegon vetë në një intervistë ekskluzive dhënë revistës “Zëri”, më 1 qershor 1996. Në këtë intervistë Musa Hoti, mes të tjerash, theksoi: “Rasti ndodhi asaj nate, kur një bashkatdhetar yni nga Peja, që kishte ardhur atyre ditëve në Bruksel dhe e kishte të shoqen shtatzënë, më thirri pas punës. Unë pranova të shkoja dhe ta ndihmoja për t’u vendosur në banesën që e kishte siguruar atyre ditëve.
Mirëpo, derisa po shkoja te miku im, përnjëherë jam shtangur kur kam vënë re se shtatë persona, të gjithë korpulentë, më ishin vënë pas. Ata, sapo m’u afruan, nisën t’më kërcënojnë në gjuhën serbe.
Thënë të drejtën, në fillim nuk e kuptova qëllimin e tyre definitiv, nuk e dija se çfarë po mëtonin asaj nate dhe se a ishin, me të vërtetë, njerëz të UDB-ës. Mirëpo, mendova se mund t’më kishte identifikuar ndonjëri prej atyre se isha shqiptar dhe tashti ashtu kot po më provokonin, ngase ishin aq në numër dhe kishin marrë zemër, ashtu siç e kanë adet të gjithë serbët”.
Musa mbante revole me vete, por, sidoqoftë, nuk ishte fort i interesuar të përballej me ta. Në këtë situatë ai hyn në
Restorantin “White Horse”. Pasi hyn në restorant, ulet pranë disa shqiptarëve që i takon rastësisht aty.
E, pas tij ishin futur edhe agjentët e UDB-ës, të cilët kishin filluar ta shajnë e ta fyejnë Musa Hotin dhe, siç shpjegon më tej ai: “…kur udbashët e panë se mbeta i vetmuar, nisën t’i nxjerrin armët që t’më vrasin. Ata ishin katër rreth tavolinës, ndërsa tre kishin ngelur jashtë. Unë isha i ulur pranë dritares, kështu që plumbat mund t’më godisnin nga dy drejtime – nga jashtë dhe nga brenda në të njëjtën kohë… Ata i futën duart të parët që t’i nxjerrin armët dhe t’më vrasin. Mirëpo, unë, nuk e di as vetë se me ç’shtytje, ia dola që me shpejtësi të rrufeshme ta nxjerr revolen dhe shtiva i pari në mbrojtje legjitime. Njëri prej sulmuesve u vra në vend, ndërsa tre të tjerët i plagosa. Thënë të drejtën, as sot e kësaj dite nuk e kam fort të qartë se si ia dola që në mënyrë ekzakte me dy plumba ta vras një dhe t’i plagos tre persona të tjerë”.
Tre serbët e tjerë, e që gjendeshin jashtë, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim të vetëm, ngase e tëra ndodhi me shpejtësi të pashpjegueshme.
Dhe, kur Musa kishte dal nga restoranti, siç thotë “për të mbaruar punë” edhe me ta, nuk i kishte pa, sepse ishin larguar. Pas këtij akti Musa ishte larguar nga vendi i ngjarjes me hapa të ngadalshëm, ndërsa më pas, në një rrugicë tjetër, kishte marrë taksin dhe ishte larguar me idenë për t’u dorëzuar në polici. Por, në ndërkohë, siç shprehet vetë ai, kishte ndërruar mendje me arsyetimin se ata të parët e kishin sulmuar, kurse ky ishte vetëmbrojtur.
Pasi ishte arratisur Musa Hoti, e kishte dërguar një mik në Ambasadën e Shqipërisë në Paris për të kërkuar ndihmë me qëllim që t’i sigurohej një lloj strehimi i përkohshëm atje. Përderisa ai priste përgjigjen, të cilën duhej ta merrte nga Ambasada e Shqipërisë në Paris, policia belge i kishte rënë në gjurmë. Musa Hoti paraburgoset.
Hetimet lidhur me rastin kanë vazhduar afërsisht tetëmbëdhjetë muaj dhe më pas policia belge ndaj tij aplikon një lloj izolimi në bregdetin e atij vendi. Këtë veprim policia e arsyetonte me rrezikun dhe mundësinë e vrasjes së Musa Hotit nga agjentët e UDB-ës jugosllave.
Përpjekjet e UDB-ës për të vrarë Musa Hotin
Pasi Musa u kthye nga “izolimi”, UDB-a jugosllave bëri edhe disa përpjekje për ta likuiduar fizikisht. Rasti i parë kishte ndodhur kur Musa po zbriste me gruan dhe fëmijët me ashensor nga kati i katërt i ndërtesës ku jetonte. Duke pritur ashensorin ata dëgjojnë një eksplodim të madh e të pazakontë, por nuk e kishin idenë se çka po ndodhte përjashta, ndoshta edhe nuk u shkonte mendja se i gjithë ai detonim ishte kurdisur kundër tyre.
Pasi zbritën poshtë e kuptuan se vetura e tyre ishte hedhur në ajër.
Përpjekja e dytë për të vrarë Musa Hotin kishte ndodhur në periudhën kohore kur ai jetonte në periferi të Brukselit, në fshatin Sent Piters Lër. Gjithashtu, duhet thënë se me rekomandimin e policisë belge, e cila druante se Musa do të mund të vritej nga UDB-a, ky i fundit detyrohej që shumë shpesh ta ndërronte vendbanimin.
Përpjekja e radhës e UDB-ës, për ta cenuar dhe eventualisht për ta zënë në “përpjekje për akte terroriste” dhe për ta ekstraduar Musën në Jugosllavi, kishte ndodhur në vitin 1987, kur policia federative e Jugosllavisë kishte bërë një kërkesë zyrtare dhe kërkonte nga INTERPOL-i që të bastiseshin një numër familjesh shqiptare, me pretekst se ishin terroristë që po përgatisnin veprime kundër Jugosllavisë dhe përfaqësive të saj ekonomike e diplomatike në Evropë.
Pas kësaj kërkese, më 27 nëntor të vitit 1987, policia bastisi 44 familje shqiptare në disa shtete evropiane. Ndër to ishte edhe ajo e Musa Hotit. Mirëpo, në asnjë rast, policia nuk gjeti armë e as eksploziv, siç kishte pretenduar policia jugosllave.
Lirimi i Musa Hotit nga burgu
Jugosllavia kishte angazhuar ekspertët e vet të drejtësisë ndërkombëtare dhe tërë potencialin diplomatik që rigjykimi të bëhej në bazë të gjykimit që ishte bërë në Belgjikë.
Dhe, duke parë se në Këshillin e Evropës nuk mund të ndikonte ashtu siç e kishte planifikuar, diplomacia jugosllave vë kusht që, edhe nëse lirohet Musa, nuk duhej të jetonte në Bruksel.
Procedura në burgun hetues zgjati 22 muaj.
Gjyqi i Strasburgut vendosi që Musa të lirohej brenda një afati të shkurtër njëmujor dhe në ndërkohë të jetonte në Belgjikë për një afat të shkurtër derisa të gjente një shtet, i cili do të pranonte ta strehonte.
Belgjika, bazuar në aktgjykim, detyrohet që më 8 nëntor 1984 ta lirojë Musën nga burgu. Lirimi i Musës nga burgu ishte me të njëjtin kusht: gjetje strehimi në një shtet tjetër. Përveç këtij kushti Musa ishte i detyruar që çdo javë të paraqitej në policinë e lagjes dhe të mos e lëshonte pragun e banesës së tij pa dijeninë e policisë.
Kontributi i Musa Hotit në formimin e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Belgjikë
Përveç aktiviteteve politike në diasporë, një nga segmentet më të rëndësishme ishte organizimi dhe vajtja e nxënësve me mësim plotësues në gjuhën shqipe. Me ardhjen e Neriman Brahës dhe Rexhep Osmanit në Belgjikë, u krijuan kushte të favorshme që Musa të jepte kontributin e vet edhe në fushën e arsimit.
Pas konsultave e takimeve të vazhdueshme me bashkatdhetarë dhe njohës të çështjeve të arsimit në Belgjikë, u formua një këshill nismëtar për themelimin e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH). Nismëtarët e këtij aktiviteti, sa human aq edhe kombëtar, ishin: Sami Rexhepi, Kujtim Hajdaj dhe Musa Hoti.
Musa, duke qenë edhe me një të kaluar prej mësimdhënësi, tregonte interesim dhe afinitet të jashtëzakonshëm që fëmijët e shqiptarëve në Belgjikë dhe në gjithë diasporën të mos e harrojnë gjuhën shqipe.
Musa Hoti kishte dhënë kontribut të madh edhe në mbledhjen e ndihmave për arsimin shqip në Belgjikë e Kosovë, si dhe kontribute të tjera në interes të vazhdimit të lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar.
Musa Hoti vritet në qendër të Brukselit!
Pas çlirimit Musa Hoti do të vinte në Kosovë me vullnetin më të madh për të jetuar në vendlindjen e tij, bashkë me fëmijët dhe gjithë familjen. Gjatë vizitës së tij në Kosovë, përveç prindërve dhe vëllezërve, Musa Hoti tërë kohën e kalonte me miq e shokë, duke diskutuar për aktivitetet kombëtare, e duke u çmallur me shokë e atdhetarë, të cilët nuk i kishte takuar me vite të tëra.
Arsyeja pse Musa Hoti insistonte të mos qëndronte në Bruksel, por të kthehej në vendlindje, ishte fakti se gjithë jetën kishte ëndërruar e kishte punuar për çlirimin e Kosovës.
Në nëntorin të vitit 2003 Musa kishte rregulluar gati çdo gjë dhe kishte marrë vendim të prerë – të jetonte në Kosovë.
Në dhjetor të vitit 2003 Musa duhej të kthehej në Bruksel, për të rregulluar dokumentin e tij të fundit të shpërnguljes për në Kosovë. Ai po nisej me zemër të thyer, sepse po e linte vëllanë, Idrizin, shumë të sëmurë dhe pa shpresa të mëdha për jetë.
Në Bruksel, pasi kishte rregulluar një dokument në administratën vendore, ishe kthyer në një klub të shqiptarëve. Pastaj, një mik i tij, Sabit Abazi, duke mos dëshiruar që Musa të ecë këmbë, merr veturën e tij që ta dërgojë deri në shtëpi. Musa, kur afrohet te metroja, kërkon nga Sabiti ta ndalojë veturën e të nisej me metro në shtëpi…
Në mëngjesin e 17 janarit 2004 trupi i Musa Hotit gjendet i vdekur në parkingun e metrosë “Art Lois”.
Bulevardi “Art Lois” është ndër bulevardet më të frekuentuara të Brukselit. Në njëfarë mënyre aty është rrugëkryqi i Parlamentit Evropian, Ambasada Amerikane etj.
Pra, thënë shkurt, është zonë shumë e frekuentuar dhe e përcjellë me kamera për shkak të masave të sigurisë.
Musa Hoti u vra me një plumb pas koke. Specialistët e kriminalistikës dhe ata të mjekësisë ligjore të Belgjikës, në raportin e tyre, kishin nxitur dyshime se trupi i vrarë i Musës ishte zhvendos nga vendi ku ishte vra dhe dërgohet në një parking metroje.
Sidoqoftë, vrasja e Musa Hotit u krye në mënyrë shumë profesionale dhe pa lënë gjurmë e argumente për dyshim e zbulim të akterëve që bënë këtë vepër kriminale.
E, për çudi, as kamerat e metrosë nuk posedojnë xhirime të kalimtarëve të rastit e as të qëllimshëm, gjë që forcon edhe më shumë idenë se Musa Hoti u vra nga vrasës profesionistë.
Sidoqoftë, vrasja e atdhetarit që gjithë jetën ia kushtoi lirisë dhe atdheut, natyrisht, ishte humbje e madhe për të gjithë Kosovën dhe shqiptarët.
Varrimi i atdhetarit Musa Hoti u bë ditën e mërkurë, më 21 janar 2004, në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë. Për nder të jetës dhe veprës së tij u organizua një ceremoni mortore nën përkujdesjen e institucioneve shtetërore të Kosovës për ta nderuar e përcjellë në mënyrë meritore e madhështore, ashtu siç është zakon të përcillen figurat e rëndësishme kombëtare.