Drejtori i Institutit Octopus Agim Musliu ka komentuar veprimet e fundit të Qeverisë së Serbisë në raport me avokatin Çedomir Stojkoviq, pasi ky i fundit qëndroi për homazhe në Prekaz dhe u ndalua në aeroportin “Nikola Tesla”.
Pas rrahjes së Nikola Sanduloviq nga BIA serbe, avokati i tij Stojkoviq vizitoi Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, si dhe vendosi kurora lulesh mbi varrin e Blerina Jasharit, vajzës shtatëvjeçare të vrarë nga forcat kriminele serbe.
Ai me këtë rast la edhe një mbishkrim në librin e kujtimeve kushtuar Blerina Jasharit.
Teksa kritikoi ashpër presidentin Aleksandar Vuçiq dhe politikat e tij karshi Kosovës, avokati serb në kthim për në Serbi u ndalua për katër orë për t’u marrë në pyetje në kufi.
Megjithatë, autoritetet serbe nuk vepruan njësoj me avokatin Stojkoviq sikurse me liderin opozitar Sanduloviq, të cilin e bënë për spital.
Veprimet e Stojkoviq, Musliu i komenton si të frikshme për pushtetin aktual në Beograd.
“Qeveria e Serbisë (Vuçiq) tani ka frikë nga çdo lëvizje e njeriut, i cili ka mundësi të bëjë paqe në Ballkan, avokatit dhe luftëtarit për drejtësi, Çedomir Stojkoviq”, ka shkruar Musliu në një postim në rrjetin social X.
Ndërsa, avokati Stojkoviq ka raportuar se është ndaluar në kufi duke dalë nga Serbia në aeroportin “Nikola Tesla”.
Kjo, sipas tij, pasi vendosi lule mbi varrin e një fëmije shqiptar të vrarë në Kosovë dhe pas deklarimeve të Aleksandar Vuçiq në Davos se është “turp për gjithë jetën dhe futja e fytyrës në baltë dhe se prokuroria dhe policia duhet të bëjnë punën e tyre në këtë çështje”.
Avokati serb edhe një herë ka përkujtuar se çfarë ndodhi me Nikola Sanduloviq.
“Për të njëjtën gjë ai u rrah, u arrestua dhe u mbajt në paraburgim për 10 ditë. Nëse Joseph Goebbels do të ishte bërë kryeministër/president në vend të Konrad Adenauer-it pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania do të ishte sot njësoj si Serbia, ku jo pas Slobodan Millosheviq, ministri i propagandës së Millosheviq, Aleksandar Vuçiq u bë president/kryeministër”, ka shkruar avokati serb në rrjetin X.