Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur asnjë kusht-kriter për liberalizimin e vizave.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka shkruar se nga 95 kushtet që i kishte Kosova, 93 janë përmbushur në vitin 2016 dhe dy të fundit, formalisht në vitin 2018.
“Liberalizimi i vizave nuk është akt, për të përvetësuar meritat nga askush. Është proces i filluar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2009 i negociuar me Komisionin Evropian në qershor të vitit 2012, kur iu prezantua Kosovës Udhërrëfyesi për liberalizim që përcaktonte një listë të gjerë kriteresh (kushteve, standardeve) pra reformash nga riintegrimi, ripranimi, siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve, migracioni, azili, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, liria e lëvizjes e deri te demarkacioni i kufirit me Malin e Zi”, ka shkruar ai.
Sipas Mustafës, ai thotë se Komisioni Evropian në Raportin e dt. 18 korrik 2018 kishte deklaruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.
“Në këtë raport shpjegohet po ashtu se Komisioni pas 4 raporteve të progresit, më 4 maj të vitit 2016 kishte dhënë propozimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Propozimi bazohej në mirëkuptim se në kohën kur ai miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli i Evropës, Kosova do të kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të kishte forcuar historikun e saj në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, liberalizimi i vizave në vitin 2016 do të kishte domethënie tjetër politike, kurse përfitimet e shtetit dhe të qytetarëve do të ishin shumë të mëdha.
“Në takimin tim si kryeministër me Kryetarin e Komisionit Evropian Jean-Claudie Juncker në Bruksel, më 27 prill 2016, mu tha se Kosova sipas vlerësimeve të KE-së kishte përmbushur 93 nga 95 kriteret e përcaktuara për liberalizim të vizave. Në përmbushjen e këtyre 93 kritereve punën më të madhe e bënë ministritë e brendshme, ministritë e punëve të jashtme, të integrimeve evropiane, ato të administrimit të pushtetit lokal dhe komunat. Në takimet me përfaqësuesit e BE-së, znj Frederica Mogerini dhe komisionarët e KE-së në Nju Jork në shtator të vitit 2016 mu konfirmua se BE do të fillojë liberalizimin e vizave para fundit të vitit 2016 nëse Kosova ratifikon marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Por se ky kusht nuk mund të garantohet për më vonë, sepse fillojnë zgjedhjet në Parlamentin Evropian dhe mund të ndryshojë vullneti dhe raporti i forcave në institucionet e BE-së”.
Ish-kryeministri Mustafa, ka shtuar tutje se opozita e atëhershme e cila ishte Vetëvendosje, e kundërshtonte demarkacionin me Malin e Zi.
“Opozita kundërshtonte demarkacionin me Malin e Zi duke trilluar se Kosova po humb 8200 hektarë. Demarkacioni u votua në mars të vitit 2018, gënjeshtrat u gëlltitën, por qytetarët e Kosovës u dashtë të presin edhe 7 vjet para ambasadave, të humbin kohë e të shpenzojnë para. Për këtë vonesë nuk mund të fajësohet vetëm Vetëvendosja, ishin edhe parti të tjera opozitare ( AAK, NISMA) që kundërshtuan sikurse edhe një numër i deputetëve të LDK-së (VV-së brenda LDK-së) dhe ndonjëri nga PDK”, ka shkruar Mustafa