Ragmi Mustafi, politikan në Luginë ka folur në lidhje me grafitet kërcënuese në Luginë të Preshevës, duke thënë se është një situatë e cila gjithnjë e më shumë po ashpërsohet.
Ai u shpreh se mosveprimi i prokurorisë dhe policisë ndaj këtyre kërcënimeve, sipas tij tregojnë se këto akte të dhunës dhe të urrejtjes po legjitimohen nga krerët e institucioneve serbe.
“Kemi një situatë e cila gjithnjë e më shumë po ashpërsohet, gjithnjë e më shumë po përshkallëzohet, jo vetëm në kuptimin e gjuhës së urrejtjes, por edhe raport me ngritjen e tensioneve ndëretnike në Luginë të Preshevës”.
“Mosveprimi i prokurorisë dhe policisë ndaj këtyre kërcënimeve vetëm tregojnë se këto akte të dhunës dhe të urrejtjes po legjitimohen nga krerët e institucioneve serbe dhe nuk besoj që këto institucione do të përndjekin deri në fund për të gjetur dhe zbardhur se kush është duke i bërë këto parulla”, është shprehur ai.
Në lidhje me këtë, sot ka reaguar edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, duke thënë se mesazhet kërcënuese e tilla atje, janë shndërruar në përditshmëri.
“Sot, në hyrjen e repartit për fëmijë, në Shtëpinë e shëndetit në Bujanoc, është vendosur ky mbishkrim. ‘Vdekje shqiptarëve. Nuk ju duam. Kosova është Serbi”.
“Ky është mesazhi i dytë brenda një jave i këtij lloji. Gjuha e urrejtjes e kërcënimet ndaj shqiptarëve në Bujanoc ka marrë hov. Ftoj organet e rendit që të zbardhin rastin në tërësi”, ka thënë Kamberi.