31
Teologia Ikballe Berisha Huduti, në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova uroi besimtarët e krishterë për Krishtlindje, siç tha, me shumë dashuri, respekt, bereqet, drejtësi, humanizëm dhe mbi të gjitha përkushtim e devotshmëri në jetë.
Këtë ajo e bëri pasi u afrua te bredhi i stolisur në studio, duke i dhënë urimit më shumë ngjyrim.
E Huduti u ftua në televizion për të diskutuar rreth temës së përqindjes së myslimanëve në Kosovë, meqë publicisti Shkëlzen Gashi ka ngjallur reagime të forta në rrjet me deklaratën e tij se në vendin tonë janë 10-15 % myslimanë.
Lidhur me këtë, ajo tha se nuk mund të merret me statistika të pabaza, meqë i beson Agjencionit të Statistikave të Kosovës, i cili ka nxjerrë shifrën prej 94% të myslimanëve në Kosovë.
“Ne jemi myslimanë dhe i dimë rregullat tona. Duhet pasur parasysh se i kemi disa norma brenda fesë. Sipas Shkëlzenit personi i cili nuk mund të shkojë në Haxh ai s’qenka mysliman! Edhe njeriu që pi alkool dhe deklarohet mysliman, është mysliman. Zoti e ka mëshirën e madhe. Kosova është shtet mysliman, mirëpo nuk është shtet islam”, deklaroi ajo në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova.
Në panel diskutimi me të ishte edhe aktivisti për çështje ndërkulturore dhe për integrim, Fatmir Gashi, i cili nuk u pajtua me shifrën e 94 përqindëshit, duke thënë se po të ishin aq, do të bëhej kalifat në vendin tonë.
“Prej këtij 94 përqindëshit jam shumë i bindur që rreth 70–80 % janë myslimanë tradicionalë që vendosin vlerat e kombit përpara gjithçka, pra ne duhet të dallojmë prej fundamentalizmit, prej islamit ortodoks dhe islamit që e kemi pasur dhe që e kemi si shqiptarë”, deklaroi ai.