Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Natasha e famshme e “TikTok” përfundon në qeli/ Sherri për nipin nisi 6 vite më parë, përballja e bujshme e vjehrrës me nusen

Një personazh në TikTok e quajtur Natasha është arrestuar së bashku me të birin, pasi kanë shfrytëzuar të nipin 10-vjeçar për përfitime në TikTok.

Ata dilnin live në këtë rrjet social me njerëz të tjerë dhe e mësonin 10-vjeçarin si t’i shante me fjalë të rënda dhe denigruese.

Në rrjetin social TikTok gjyshja 67-vjeçare ka shfrytëzuar nipin, për të marrë sa më shumë klikime, të cilat shndërrohen në para. Në një video live, shihet djali 10-vjeçar me të atin, Natasha dhe disa persona të tjerë. I mituri nuk ka reshtur së ofenduari me fjalë banale një grua tjetër, ku i ati e mësonte se çfarë t’i thoshte, ndërkohë që gjyshja e tij e shikonte dhe qeshte.

Natasha është një personazh i njohur për publikun, pasi para disa vitesh historia e saj me nusen ka bërë xhiro në rrjetet sociale. Ajo u përball live në një studio televizive me ish-nusen ndërsa ziheshin për kujdestarinë e djalit.

Më 19 Mars 2017, në rubrikën “Ka një mesazh për ty” të E Diela Shqiptare u bë i njohur për publikun rasti i një nëne në prag divorci. “Forca ime është im bir”, kështu u shpreh Englantina para se të niste rrëfimin e dhimbshëm që lidhej me djalin e saj të mitur.

Siç deklaroi e reja nga Kuçova në atë kohë, vjehrra e saj dhe i shoqi nuk e lejonin të takonte djalin pasi me vendim gjykate kujdestaria u takonte atyre. Por Englantina shprehej se ata kishin dhënë para për një gjë të tillë.

Për ta bërë akoma më të qartë historinë, duke marrë versionet e të dyja palëve, Englantina pati një përballje televizive me Natashën një javë më vonë (26 Mars 2017). E vërteta e Natasha Rombulës ishte krejt e ndryshme. Sipas 67-vjeçares, nusja e saj nuk ishte e aftë të kujdesej për nipin.

“Pse s’ke ardhur ta marrësh?”, i drejtohej ajo Englantinës, duke pretenduar se nuk është kujdesur kurrë për të birin. Ndërkohë, kjo e fundit e kundërshtonte duke hedhur akuza se vjehrra e saj “e mbushte të birin me mendime negative për të”.

Situata e tensionuar mes tyre nuk mbaroi këtu, daljet e tyre televizive ishin të shpeshta dhe pa asnjë konsensus.

Këtë të Mërkurë, historia ka marrë një kthesë tjetër. Duket se konfliktet nuk janë shuar për 6 vite me radhë, ndërsa Natasha Rombula dhe i biri i saj Armando Kumaraku kanë rënë në prangat e policisë.