Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

NATO-ja shënon 75 vjetorin e saj mes shqetësimeve për sigurinë e Evropës

Ministrat e Jashtëm të NATO-s kremtuan të enjten 75-vjetorin e aleancës me flamuj, tortë dhe orkestër muzikore, ndërsa sekretari i përgjithshëm i saj u kujtoi Shteteve të Bashkuara se kishin nevojë për aleatët e tyre më shumë se kurrë, ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e saj të tretë.

Të 32 vendet anëtare të aleancës u pajtuan të mërkurën të fillojnë planifikimin për një rol më të madh në bashkërendimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, për ta mbështetur atë në luftën me Rusinë, konfliktin më të madh të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore dhe të tregojë unitetin e saj, ndërsa Ukraina pret një paketë me vlerë rreth 60 miliardë dollarësh që mbetet e bllokuar në Kongresin amerikan.

Në ditën e dytë të një takimi në Bruksel, ministrat shënuan përvjetorin e nënshkrimit në Uashington më 4 prill të vitit 1949 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, që themeloi aleancën politike dhe ushtarake transatlantike.

“Evropa ka nevojë për Amerikën e Veriut për sigurinë e saj”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në një ceremoni në selinë e aleancës në Bruksel.

“Në të njëjtën kohë, Amerika e Veriut gjithashtu ka nevojë për Evropën. Aleatët evropianë ofrojnë ushtri të klasit botëror, rrjete të mëdha të zbulimit dhe leva unike diplomatike, duke shumëfishuar fuqinë e Amerikës”, tha ai.

Udhëheqësit e vendeve evropiane, që përbëjnë pjesën më të madhe të anëtarëve të NATO-s, janë të shqetësuar jo vetëm për të ardhmen e NATO-s nëse ish presidenti amerikan Donald Trump fiton në garën me presidentin aktual Joe Biden në nëntor, por edhe për bllokimin e ndihmës për Ukrainën në Kongres, ndërsa republikanët kërkojnë masa të sigurisë kufitare në këmbim të miratimit të projektligjit

NATO-ja në fillet e saj kishte 12 vende anëtare nga Amerika e Veriut dhe Evropa dhe u themelua si përgjigje ndaj frikës në rritje se Bashkimi Sovjetik paraqiste një kërcënim ushtarak për demokracitë evropiane.

Në thelbin e saj është koncepti i mbrojtjes kolektive, ideja që një sulm ndaj një anëtari konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve, duke i siguruar Evropës Perëndimore mbrojtjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Shtatëdhjetë e pesë vjet më vonë, ajo ka 32 vende anëtare dhe ka rimarrë një rol qendror në çështjet botërore pasi Rusia filloi agresionin e saj në Ukrainë me 22 shkurt të vitit 2022, duke bërë që qeveritë evropiane ta shohin Moskën edhe një herë si një kërcënim të madh për sigurinë.

Dy vendet e reja anëtare të NATO-s, Finlanda dhe Suedia, u bashkuan në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj agresionit rus në Ukrainë.

“Kombet demokratike, njerëzit e lirë, zgjodhën të anëtarësohen në NATO, ndryshe nga mënyra sesi Rusia zgjerohet me aneksim ose agresion të paligjshëm”, tha ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen.

Rusia tha të mërkurën se NATO-ja është kthyer në një mentalitet të Luftës së Ftohtë. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, u tha gazetarëve se NATO-ja nuk ka vend në “botën multipolare” që Moska thotë se kërkon ta ndërtojë, për t’i dhënë fund dominimit të Shteteve të Bashkuara.

Ministrat e NATO-s u pajtuan të mërkurën të fillojnë planifikimin për një rol më të madh të aleancës në bashkërendimin e ndihmës dhe trajnimit për forcat e Ukrainës.

Sipas një propozimi të sekretarit Stoltenberg, NATO-ja do të marrë përsipër punën e bërë nga një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i njohur si grupi Ramstein, pjesërisht për t’u mbrojtur nga çdo shkurtim i mbështetjes amerikane nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë, thanë diplomatët./VOA