Shefi i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi sot se vendet anëtare të Aleancës Veri-Atlantike janë pajtuar për ta bërë prioritet të lartë mbrojtjen e infrastrukturës së Ukrainës, pasi Rusia është duke i bombarduar pareshtur qytetet ukrainase me raketa dhe dronë.
Duke folur për gazetarë para ditës së dytë të takimit të ministrave të Jashtëm të 32 vendeve anëtare të NATO-s, Rutte tha gjatë takimi është biseduar për t’i dhënë Ukrainës sisteme të mjaftueshme për mbrojtje ajrore në mënyrë që ajo ta mbrojë infrastrukturën e vet nga sulmet ruse.
“Pati pajtueshmëri të qartë mbrëmë se mbështetja e Ukrainës, posaçërisht për infrastrukturën e saj, duhet të jetë prioritet. Besoj se aleatët do të sigurohen në ditët dhe javët në vazhdim se do ta furnizojnë Ukrainën me çfarëdo që mund ta furnizojnë”, tha ai.
Ky është dimri i tretë radhazi që Rusia e sulmon infrastrukturën energjetike të Ukrainës, dhe si pasojë ka shkaktuar viktima dhe ka penguar furnizimin me energji elektrike për mijëra civilë.
Mëngjesin e së mërkurës, dronë rusë sulmuan rajonin verior të Çernihivit, duke dëmtuar disa shtëpi në një fshat, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Chaus në Telegram. Ndërkohë, Forca Ajrore e Ukrainës raportoi se Rusia i përdori një raketë dhe 50 dronë ndaj objektivave në Ukrainë.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës i rrëzoi 29 dronë në nëntë rajone – Kiev, Harkiv, Poltava, Sumi, Çernihiv, Hmelnitski, Ternopil, Mikolaiv dhe Donjeck, tha ajo. /REL