1
Nuk ka ndryshim në përkushtim amerikan ndaj NATO-s në përgjithësi apo misionit të aleancës në Kosovë në veçanti. Deklarata vjen nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Ai nënvizoi se stabiliteti në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi, është në interes të të gjithëve.
Sekretari i përgjithshëm i bëri komentet gjatë një bashkëbisedime me studentë në Universitetin e Bratislavës në Sllovaki, kur u mbi mundësitë e rifillimit të konfliktit në Kosovë, pas spekulimeve se administrata e re amerikane mund të tërheqë trupat nga Kosova.
“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë, administrata amerikan është plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve të tanishme. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave apo ndryshime të vogla. Nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor duhet të jemi të sigurt që ne të mbajmë në fokus këtë rajon. Sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në interesin e të gjithëve ne”, tha Mark Rutte.
Garancitë e sekretarit të përgjithshëm vijnë pas lajmit në gazetën gjermane “Bild” se Italia ka filluar të përgatitet në rast të tërheqjes së trupave amerikane nga misioni i KFOR-it.
NATO-ja ka një mision paqeruajtës në Kosovë që nga përfundimi i luftës. Aktualisht, në kuadër të KFOR-it shërbejnë mbi 4.600 trupa nga 28 vende të botës. Numri më i madh është nga Italia, Shtetet e Bashkuara, Hungaria dhe Turqia.
NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.