
Celeste Arantes, nëna e legjendës së futbollit Pele, vdiq të premten në moshën 101-vjeçare.
Arantes i kaloi pesë vjetët e fundit në një gjendje vegjetative dhe nuk u informua për vdekjen e Peles, i cili u shua në vitin 2022.
Ajo u shtrua në spital për tetë ditët e fundit, tha Konfederata Braziliane e Futbollit në një deklaratë.
Shkaqet e vdekjes së saj nuk janë bërë të ditura.
Fondacioni Pele tha përmes një njoftimi në rrjetet sociale se nëna e legjendës së futbollit ishte një model për të gjithë.
“Vajtojmë thellësisht largimin e Celestinha-s, siç e quante djali i saj. Në të njëjtën kohë, ne jemi përjetësisht mirënjohës për ekzistencën e saj”, tha fondacioni.
“Dona Celeste është nëna mbretëreshë dhe do të mbahet mend përgjithmonë me dashuri në zemrat dhe kujtimet tona”, thuhej tutje.