Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Ndërprerja e seancës konstituive, Cakolli: Dehari bëri shkelje procedurale

 
   

Ka dështuar për të dytën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të seancës konstituive të Kuvendit, e cila u ndërpre sërish të enjten.

Në një deklaratë për media, Cakolli vlerësoi se ndërprerja e seancës nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari përbën një shkelje procedurale, pasi ajo ndodhi pa votim formal dhe pa u trajtuar të gjitha pikat e rendit të ditës.

Cakolli: Kësaj here ndërprerja e seancës konstituive u karakterizua nga një shkelje tjetër

Pra, ashtu siç ka qenë deri diku e pritur, në mungesë të numrit të nevojshëm të votave pati sërish ndërprerje të seancës konstituive të Kuvendit. Por që kësaj here, si ndërprerje u karakterizua nga një shkelje tjetër procedurale, ku kryesuesi i seancës, Dehari, e ndërpreu seancën pa pasur votim formal dhe pa i konsumuar pikat e rendit të ditës, gjë që përben shkelje proceduriale. Në anën tjetër, tashmë është e qartë se situata është e bllokuar për shkak të mosofrimit të dorëheqjeve, obligim ligjor ky për kryeministrin dhe 15 ministrat tjerë në detyrë të cilët kanë fituar mandat të deputetit. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit në detyrë dhe gjithë ministrave që në funksion të zhbllokimit të punës së Kuvendit të dorëzojnë dorëheqjet e tyre formale siç ua kërkon ligji për qeverinë që është miratuar po nga legjislatura e kaluar, në mënyrë që t’i hapet rrugë konstitutimit të Kuvendit dhe të evitohen bllokada të panevojshme”, tha Cakolli.

Ai po ashtu kritikoi qasjen e kryesuesit të seancës, duke thënë se nuk kishte nevojë për konsultime të reja me subjektet politike, pasi afati prej 48 orësh ekziston pikërisht për këtë qëllim.

Cakolli: Kryesuesi i seancës sot nuk ka pasur fare nevojë qe t’i ftoj në konsultim subjektet politike

Në radhë të parë kryesuesi i seancës sot nuk ka pasur fare nevojë qe t’i ftoj në konsultim subjektet politike. Afati 48 orësh është pikërisht për çështjen e konsultimeve mes subjekteve politike. Unë vlerësoj se në vend që të shkruheshin letra për presidenten, përgjigjet e se cila veç se diheshin, ndonëse vlerësoj pozitivisht qasjen e presidentes, besoj që është dashur që të mbaheshin konsultimet e nevojshme në mënyrë që të trajtohej dhe të zgjidhej kjo çështje. Zotëri Dehari nuk e administroj seancën siç duhet sepse në radhë të parë i njëjti nuk shkoj sipas rendit të ditës e që në këtë rast do të duhej mblidhej edhe një herë komisionit për verifikimin e mandateve, nxjerrja serish i një raporti”, tha ai.

Edhe sot, njëjtë si më 15 prill është ndërprerë seanca konstituive e cila në rend të parë do të duhej të kalojë raportin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatit të deputetëve. Ajo pritet të thirret brenda 48 orëve të ardhshme, të shtunën në orën 12:00.