Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ndërpritet gjykimi për mosdeklarim të pasurisë ndaj Skender Hysenit, shkak mungesa e dëshmitarit nga APK-ja

 
   

Në mungesë të dëshmitarit Ilir Kelmendi nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), është ndërprerë seanca gjyqësore ndaj Skender Hysenit.

Hyseni akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale “Mos raportim ose raporti i rrem i pasurisë, i te ardhurave, i të ardhurave,  i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Marr aktvendim ashtu që seanca e sotme ndërpritet për të vazhduar me datën 21 nëntor”, tha gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj

Ndryshe, për këto akuza, Skender Hyseni, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 12 janar 2022. 

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 23 shkurtit 2022 e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit me arsyetimin se provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale.Kundër këtij aktvendimi, brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Podvorica për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, zbatimit të gabuar të ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Ndërsa, Prokurori i Apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Kurse, Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarit Hyseni, kurse kërkesa e avokatit Podvorica është refuzuar si e pabazuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 gusht 2020 në Prishtinë, Skender Hyseni po akuzohet se në cilësi të zyrtarit të lartë publik – Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, me rastin e marrjes së kësaj detyre,  me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë, të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Aktakuza thotë se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volksëagen”, viti i prodhimit 2013, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Skender Hyseni se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryerësii të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.