Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ndërroi jetë pasi lindi djalin/ Gjykata nis shqyrtimin e dosjes për vdekjen e partneres së Alban Hoxhës

Dorjana Hyka ndërroi jetë në vitin 2014, pasi solli në jetë fëmijën që kishte me futbollistin e Partizanit

Gjykata e Apelit të Tiranës ka nisur shqyrtimin e dosjes për vdekjen e Dorjana Hakës, partneres së Alban Hoxhës.

Vdekja e 25-vjeçares tronditi mbarë opinionin publik, për shkak se e reja vdiq vetëm pak ditë pasi solli në jetë djalin e saj. Në atë kohë, familja e saj akuzonte mjekët për pakujdesi dhe neglizhencë gjatë operacionit për lindjen e fëmijës. Nëna e Dorjana Hakës ka deklaruar sot se ka besim te organet e drejtësisë duke i bërë thirrje atyre të mos zvarritet më gjyqi.

“Shpresoj që gjyqi të mos zvarritet. Presim prej vitesh presim fjalën e drejtësisë”, tha nëna e saj.

Dy mjekë të maternitetit “Koço Gliozheni” janë të pandehur për vdekjen e ish-bashkëshortes së Alban Hoxhës, e cila solli në jetë Bekimin e vogël, por humbi vetë jetën vetëm disa orë pas lindjes.

Dorjana Haka ndërroi jetë në nëntor të vitit 2014, pak ditë pasi kishte sjellë në jetë djalin përmes lindjes cezariane. Të pandehurit në proces, kirurgu Petrit Rexhepi dhe anestezistja Elona Burba, akuzohen për “mjekim të pakujdesshëm” në lidhje me këtë rast.

Sipas Prokurorisë së kryeqytetit, vdekja e 25-vjeçares ka ardhur si pasojë e neglizhencës së mjekëve dhe moskryerjes prej tyre të analizave të nevojshme para dhe pas operacionit.

Duke iu referuar një aktekspertimi të kryer nga një grup mjekësh i Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurori tha se e ndjera Dorjana Haka nuk u është nënshtruar analizave paraprake të nevojshme para se të hynte në operacionin e lindjes.

Më tej, referuar hetimit, prokurori tha se nuk kishte pasur rekomandim për kryerjen e analizave, nuk kishte pasur konsultë anestezike paraprake dhe se në rastin e Dorjana Hakës nuk janë zbatuar procedurat e shtrimit. I pamjaftueshëm u konsiderua nga Prokuroria edhe kontrolli mjekësor pas operacionit të 25-vjeçares. Shkak i përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore të shtetases Dorjana Haka ditën e dytë pas operacionit ka qenë tromboza totale e sinuseve kavernoze të trurit.