Aktorja Eliona Pitarka ka reaguar pas bërjes publike të një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në Tiranë.
Tri ditë më parë, një vogëlush 3-vjeçar, ka ndërruar jetë në QSUT, pas ndërhyrjes që kishte bërë në dhëmbë në një klinikë private.
Familjarët e vogëlushit kanë denoncuar në polici lidhur me ngjarjen e ndodhur ku kanë bërë me dije se fëmijës i ishte injektuar sasi e madhe narkoze gjë që kishte shkaktuar dhe humbjen e jetës së tij.
Pitarka tregon se para një viti në këtë klinikë kanë dërguar nipin e tyre dhe pas narkozës së injektuar në këtë klinikë atij iu desh 5 orë që të zgjohej.
Pas ngjarjes aktorja tregon se kanë kontaktuar mjekun, por nuk u është përgjigjur për t’ju komunikuar se sa normale ishin efektet anësore që kishte shfaqur fëmija pas ndërhyrjes.
Ajo thotë se pengu i saj më i madh është që nuk e ka bërë publik atë rast.
“Para një viti kemi dërguar nipin tonë në atë klinikë. Pas narkozës që i ka aplikuar nipit tim për mbushjen e kësaj dhëmballe te kjo klinikë, iu desh 5 orë që të zgjohej. Pasi është zgjuar nipi kishte marrje mendsh, fliste përçart, ka vjellë. Dhe ajo klinikë asnjëherë nuk na u përgjigj në telefon për të na thënë nëse kjo ishte normale. Dhe pengu im më i madh është që nuk e bëra publik atë rast. Dhe them peng sepse kur i tregova rastin tim babait të 3-vjeçarit tha: “Ku ta dija unë se ku e çova djalin. Nëse do e dija nuk e kisha çuar”. Dhe ndihem fajtore që nuk e bëra publik rastin”, thotë ajo mes lotësh.