Për të shprehur shqetësimet lidhur me ndryshimet në skemën pensionale që kanë prekur në të drejtat e fituara të punëtorëve të pensionuar arsimor, përfaqësuesit e SBASHK-ut janë takuar me kryetarin e Komisionit parlamentar për Arsim Ardian Gola, si dhe u kanë dërguar shkresa për takime shefave të grupeve parlamentare.
Kërkesës së SBASHK-ut i janë përgjigjur këtë premte shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe ai i LDK-së, Driton Selmanaj.
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj në takime të ndara u kanë ofruar argumente, të cilat ua kanë lënë edhe në formë të shkruar Tahirit dhe Selamanajt duke kërkuar ta marrin iniciativën për të dërguar çështjen në Kushtetuese dhe për të nisur debat në Parlament, në mënyrë që të evitohen lëshimet në ndryshimet në ligj dhe t’u kthehet e drejta e fituar punëtorëve të pensionuar nga arsimi.
SBASHK pret që javën e ardhshme të kenë takime edhe me shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, atë të AAK-së Besnik Tahiri dhe Enis Kervan nga Grupi Parlamentar Multietnik.