Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Në 2024 do të rritet bileta? Operatorët urbanë në Tiranë do mbështeten me subvencionim nga bashkia për…

Ndër faktorët që ndikuan vjet në shtimin e kostove ishte shtrenjtimi i lartë i çmimit të naftës.

Nga 2024 nuk pritet të këtë dyfishim të çmimit të biletës së autobusit në Tiranë.

Dyfishimi i çmimit të biletës së autobusit nga 40 lekë në 80 lekë vjet u kërkua disa herë nga përfaqësuesit e linjave urbane për shkak të situatës së rënduar financiare nga shtimi i kostove dhe rënia e të ardhurave nga ulja e numrit të pasagjereve.

Vendimi për ndryshimin e çmimeve merret nga Këshilli Bashkiak. Për të mbuluar kostot nga çmimi i shtrenjtë i naftës dhe rënia e të ardhurave operatorët e sektorit urban do të mbështeten përgjatë 2024-s me subvencionim të bashkisë.

Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas Kostandin Foni tha për Monitor se dhënia e subvencionimit nga bashkia e Tiranës bëhet me qëllim mbulimin e të ardhurave të munguara nga dyfishimi i çmimit të biletës.

“Sektori aktualisht e ka të pamundur të mbijetojë në këtë situatë, me rritje të shpenzimeve nga çmimi i naftës që ende mbetet i lartë, rritja e pagave të punonjësve dhe me rënie të ardhurave nga ulja e numrit të pasagjerëve. Ndërsa çmimi i biletës është në vlerën 40 lekë. Nga operatorët është kërkuar të dyfishohet çmimi. Bashkia ka vendosur të mos ketë rritje të çmimit, pra çmimi i biletës nuk do të ndryshojë. Të ardhurat e munguara nga rritja e çmimit të biletës përgjatë vitit 2024 pritet të subvencionohen nga bashkia. Masa e subvencionimit për operator parashikohet të jetë në varësi të llogaritjeve që do të bëhen bazuar te shpenzimet, kostot e operatorit, iteneraret e linjave dhe numrit të pasagjerëve”, tha ai.

Edhe në relacionin e projektbuxhetit 2024 për shërbimin e transportit publik përfshihet si objektiv subvencionim i operimit të shërbimit të transportit qytetës në Bashkinë e Tiranës, për shkak të mos mbulimit të kostove të operimit, ardhur si pasojë e reduktimit të volumeve të udhëtarëve për shkak të pandemisë Covid -19 si dhe për shkak të krizës energjetike që solli rritjen e çmimit të naftës.

Ndër faktorët që ndikuan vjet në shtimin e kostove ishte shtrenjtimi i lartë i çmimit të naftës.

Ndërsa pas pandemisë së Covid-19 sipas kryetarit të shoqatës Kostandin Foni shërbimi publik urban vijon të mbetet me numër të reduktuar të pasagjerëve dhe kosto të shtuara nga mungesa e fuqisë punëtore.

“Aktualisht numri i pasagjerëve është 35% më pak se viti periudha para pandemisë së covid-19. Arsyeja kryesore e rënies së numrit të pasagjerëve mbetet largimi i popullatës në emigracion. Një faktor tjetër mbetet edhe konkurrenca e pandershme nga linjat rrethqytetase që marrin pasagjerët e linjave urbane të Tiranës”.

Sakaq edhe sektori i transportit vuan mungesën e fuqisë punëtore. “Shumica e punonjësve, si: shoferë, dispeçer, faturino, kontrollor kanë ikur masivisht në emigracion. Të gjithë mendojnë si të gjejnë mënyrën si të largohen. Arsyeja kryesore e emigracionit janë pagat e ulëta. Krahasuar me rritjen e çmimeve, pagat e punonjësve nuk kanë pësuar rritje të lartë. Operatorëve gjithashtu kostot u janë dyfishuar, ndërsa të ardhurat janë të njëjta si para pandemisë”, nënvizoi Foni.

Që pas pandemisë së Covid-19 sektori urban është mbështetur me 2 paketa antikrizë. Paketa e parë u zbatua për shkak të krizës nga pandemia. Vjet u zbatua edhe paketa e dytë në ndihmë të sektorit me rimbursimin me 100 lekë për litër për naftën e shpenzuar për muajt gusht-shtator-tetor, pas shtrenjtimit të çmimit të lartë të naftës. MONITOR