Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Në 25 vjetorin e vrasjes, Abdixhiku me familjarë të Enver Malokut shpalosin portretin përkujtimor të tij

Në 25 vjetorin e vrasjes, Abdixhiku me familjarë të Enver Malokut shpalosin portretin përkujtimor të tij

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Enver Malokun në 25 vjetorin e vrasjes së tij.

Abdixhiku ka thënë se “atë ditë u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndërrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, i një adhuruesi të shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë”.

Abdixhiku njoftoi se bashkë me familjen e ngushtë të Enver Malokut kanë shpalosur pllakën dhe portretin përkujtimor të tij.

Postimi i plotë:

25 vjet më parë, në mbrëmjen e 11 janarit të vitit të lirisë, Enver Maloku u qëllua pranë banesës së tij në Breg të Diellit në Prishtinë.

Atë ditë u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndrrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, i një adhuruesi të shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë. Patrioti model i orëve më të rënda e bartësi i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci, u vra në moshën 45 vjeçare.

Sot, një çerek shekulli pas, me familjen e ngushtë Maloku, me zonjën Hava, Doruntinën e Drinin, në Selinë Qendrore të LDK-së shpalosëm pllakën e portretin përkujtimor të tij. Ky portret e kjo pllakë, e vendosur në Murin e Nderit, do të na qëndrojnë si shenja të rënda që na ekojnë përherë dhe në përditshmëri. Që na rikujtojnë rreshtin e gjatë të patriotëve të Lidhjes dhe vet Republikës, ëndrra fillestare e të cilëve na është bërë udhërrëfimi ynë sot.