Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Në banesën ku fshihej Radojqiç, ka ende gëzhoja të plumbave

Banesa në pronësi të manastirit, por jashtë mureve rrethuese të tij, është godina ku u filmua duke qëndruar Milan Radojçiç, një biznesmen dhe politikan serb kontravers i lidhur me krimin e organizuar dhe i shpallur në listën e zezë nga SHBA.

Ai konsiderohet një ndër njerëzit kyç të sulmeve të ngjashme ndaj policisë kosovare që kanë ndodhur vazhdimisht në Veri. Edhe disa ditë pas ngjarjes tragjike, gjurmët e luftës janë të dallueshme në këtë fshat.

“Inside Story” mundi të gjejë në afërsi të manastirit, shenja dhe gëzhoja plumbash të madhësive të ndryshme. Me sa duket, ato nuk janë konstatuar gjatë krehjes së zonës nga grupi hetimor. Këto janë vetëm disa nga plumbat e gjetur, ngjitur me murin rrethues të manastirit dhe në një shtëpizë të vjetër në pronësi të objektit të kultit.

Ndërsa këto gëzhoja antitank, të cilat janë rreth 60-70 të tilla vetëm në një vend, dëshmojnë se janë përdorur edhe armatime të rënda, duke konfirmuar egërsinë e kësaj përplasjeje.

Po çfarë u gjet në këtë fshat pas përplasjes me policinë?

Policia e Kosovës ekspozoi më 25 shtator vetëm një pjesë të arsenalit të gjetur në Banjskë, pas kontrollit në manastirin ortodoks serb dhe në disa shtëpi të braktisura në fshat.

Siç edhe duket nga këto pamje armatimi ishte i kalibrit të ndryshëm, duke filluar që nga raketahedhësit, eksplozivë, detonatorë, dronë termikë në gjendje të monitorojnë çdo situatë, harta dhe plane konkrete për sulmin ndaj policisë.

Policia arriti të sekuestrojë edhe një flotë të tërë automjetesh e përbërë nga 24 fuoristrada, 3 autoblinda, dy motorë ushtarakë me katër goma.

I gjithë ky armatim i gjendur përllogaritet të kapë vlerën e 5 milionë eurove. Agim Musliu, ekspert i krimeve të luftës është i bindur se kjo sasi armatimesh mund të shërbente për armatosjen e 500 personave.