Besimtarët e fesë islame po kremtojnë festën e Kurban Bajramit edhe në Kosovë. Që nga mëngjesi i hershëm ata ia mësynë xhamive për ta falur Kurban Bajramin, ku edhe dëgjuan ligjërata tematike, derisa mesazh ishte ruajtja dhe mbrojtja e atdheut, solidariteti me nevojtarët por edhe më shumë zhvillim ekonomik. Kurse, ciftet bashkëshortore u ftuan që të kenë më shumë fëmijë.
Manifestimi për territorin e Kosovës kushtuar Kurban Bajramit, u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku filloi me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit ishte ligjërata tematike, të cilën e mbajti Hetem Sopjani, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë.
Namazi i Kurban Bajramit i priu Burhan Hashani- kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, ndërsa mesazhin e Kurban Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili tha se shprehja e atdhedashurisë në lutjet e përditshme është një ndjenjë e natyrshme sepse është një dhuratë e pashtershme.
Tërnava: Është detyrë e jona që ta duam, ruajmë dhe ta mbrojmë atdheun tonë
“Prandaj është detyrë e jona që ta duam, ta ruajmë dhe ta mbrojmë vatanin tonë. Është detyrë që të bëhemi qytetarë të një vendi që jetojmë me dinjitet e për t’u bërë të tillë kërkohet që të jemi bashkë duke promovuar atë në të gjitha fushat dhe në çdo vend, por edhe …. kurban bajrami është një rast i mirë për t’iu afruar Zotit me vepra tona të mira, për ta falënderuar atë për bekimin e tij, për të pastruar shpirtin dhe zemrën. Këtë e arrijmë duke kryer vepra të mira, duke zgjatur dorën për të varfëritë dhe nevojtaret“, tha ai.
Ai po ashtu luti Zotin që të rikthej paqen në Palestinë dhe Ukrainë, derisa shtoi se.
Tërnava: Të bëjmë edhe më shumë në rritjen ekonomike
“Bashkërisht mund të bëjmë edhe më shumë në rritjen ekonomike, rritjen e standardeve për një jetë më të mirë në Kosovë në mënyrë që të zvogëlojmë migrimin e popullatës tonë nëpër vendet e botës. Në anën tjetër shohim që nataliteti ka rënë, se Kosova dhe vendet e tjera shqiptare po zbrazën në përmasa të madhe, qiftet e reja nuk bëjnë më shumë se një apo dy fëmijë. Ftojë çiftet e martuara që të kenë më shumë fëmijë ngase edhe këtë ia kemi borxh Kosovës sonë. Të mos frikësohen çiftet e reja për riskun e familjes ngase risku është moment i Zotit. Të mos bëhemi shkaktar për mbylljen e foshnjoreve, çerdheve, shkollave e xhamive, ngase do të na gjykoj e ardhmja e vendeve tona”, tha ai, duke shtuar kryerja e haxhit dhe therja e kurbanit janë dy rituale kyçe të cilat i japin domethënie festës së Kurban Bajramit.
Me rastin e Kurban Bajramit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës si tradicionalisht organizon pritje në selinë e saj nga ora 9:00-12:00.
Përndryshe, kremtimi i Kurban Bajramit, sipas traditës islame nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.