Në Hong Kong ka hyrë të shtunën në fuqi ligji i ri për siguri kombëtare, që parasheh ndëshkime të ashpra, përfshirë burgimin e përjetshëm, për krimet sikurse tradhtia dhe rebelimi.
Ligji – i cili njihet si Artikulli 23 – shënjestron pesë kategori të krimeve të sigurisë kombëtare dhe është miratuar në shpejtësi prej legjislaturës pa opozitë.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Japonia dhe Britania kanë qenë në mesin e kritikëve më të ashpër të ligjit.
Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Baskuar, David Cameron ka thënë se ligji do të kërcënojë edhe më shumë të drejtat dhe liritë e njerëzve në qytet.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka shprehur të premten “shqetësim të thellë” që ligji do të mund të shfrytëzohet për t’i minuar të drejtat e njerëzve dhe për të pamundësuar disidencën, dhe që do ta dëmtojë reputacionin e Hong Kongut si qendër financiare ndërkombëtare.
Mirëpo lideri i Hong Kongut, John Lee e ka konsideruar miratimin e ligjit si “moment historik”.
Lee ka thënë se ligji është i domosdoshëm për të parandaluar dhunën, si referencë për protestat masive pro-demokracisë në Hong Kong, të zhvilluara më 2019, në të cilat mijëra njerëz kanë dalë në rrugë, duke kërkuar më shumë autonomi prej regjimit të Pekinit.
Si përgjigje, autoritetet i kanë shtypur protestat dhe prej vitit 2020 Pekini e fuqizuar një ligj të ri për sigurinë kombëtare – që shënjestron rebelimin, terrorizmin dhe bashkëpunimin me forca të huaja.
Deri më tani rreth 300 persona janë arrestuar për shkelje të këtij ligji.
Kur Mbretëria e Bashkuar ia ka dorëzuar Kinës Hong Kongun më 1997, qytetit i ishin garantuar disa liri për 50 vjet, sipas marrëveshjes së nënshkruar që parasheh funksionimin nën organizimin “një shtet, dy sisteme”./rel