Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Në Kosovë mbi 10 mijë persona të varur nga droga, 5 mijë nga kokaina

Numri i përdoruesve të drogës në Kosovë kap shifrën 40 mijë, ndërsa rreth 10 mijë nga ta nga ekspertë e kësaj fushë klasifikohen si përdorues të rregullt ose të varur nga droga. Organizatat që merren me trajtimin e përdoruesve të drogës thonë se mbi pesë mijë qytetarë janë përdorues të kokainës dhe kjo shifër sipas tyre është shqetësuese.

Gjatë javës së kaluar janë raportuar disa raste për arrestime për posedim të narkotikëve.

Madje në mesjavë një i dyshuar me qëllim të shmangies së arrestimit dhe ndalimit, e kishte goditur me veturën e tij veturën zyrtare të Policisë duke i shkaktuar edhe lëndime trupore dy zyrtarëve policore.

Për ekspertët e fushës së përdorimit të drogës lajmi se marihuana është e shpërndarë gjithandej në Kosovë nuk është risi.

Sipas tyre në vendin tonë janë mbi 40 mijë përdorues të drogave të ndryshme.

Ajo që po i bie në sy Safet Blakajt nga Instituti “Labyrinth” është rritja e numrit të përdoruesve të kokainës.

Deri para katër viteve numri i atyre që janë trajtuar nga ta ka qenë i vogël dhe kryesisht të moshës 45-55 vjeçar, ndërsa tash përdoruesit e kokainës janë kryesisht nën moshën 25 vjeçare.

Mbi ¼ e 40 mijë përdoruesve të drogës, sipas Blakajt janë të varur dhe e përdorin drogën për çdo ditë.

“Ne e kemi kategorinë përdorues problematik. Përdorues problematik janë ata të cilët e përdorin (drogën) në baza ditore të cilët janë të varur nga droga të cilët janë në konflikt me ligjin kanë probleme. Janë duke e kaluar 10 mijëshin kjo kategori,” ka thënë Safet Blakaj nga Instituti “Labyrinth”

Blakaj jep edhe një shifër që e konsideron shqetësuese.

“Kokaina po e kalon gjysmën e tyre pra mbi pesë mijë (përdorues). Alarmante nuk e kisha quajtur është shqetësuese sepse janë duke e përdorur në baza ditore dhe kjo paraqet problem.”

Numri i përdoruesve të kokainës mund të jetë në rritje dhe shumë i lartë por vlera e drogës së konfiskuar nga Policia e Kosovës jep tjetër pasqyrim.

Në statistikat që ka pranuar televizioni del se në vitin 2024 janë konfiskuar gati 19.5 kilogramë heroinë, 992 gramë kokainë, 103 kilogramë marihuan dhe rreth 25 bimë kanabis.

Për këtë sasi të drogës dhe lloje të tjera janë arrestuar 209 persona.

Krahasimi i këtyre shifrave me ato të vitit paraprak tregon se për gjashtë muaj të këtij viti është konfiskuar shtatë fish më shumë heroinë, krahasuar jo me gjashtë por me 12 muaj përgjatë 2023-s. Kokainë të konfiskuar ka dukshëm më pak këtë vit, gati 1/6 e sasisë krahasuar me vitin e kaluar.

Viti i kaluar ka shifër dukshëm më të madhe edhe për personat e arrestuar si të dyshuar për ndërlidhje me drogë, 859 personave iu janë vënë prangat nga Policia.

Sigurisht ulja e vlerës së shifrave të drogës së konfiskuar dhe të personave të arrestuar nuk tregon se situata në terren është përmirësuar por vetëm statistika të punës së Policisë së Kosovës.