Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Në kremtë familjare të festohet me zemër, jo me armë – Rrëfime se si gëzimet u kthyen në fatkeqësi

 
   

“Festo me zemër, jo me armë”. Kjo thirrje që bëhet prej vitesh, me qëllim të parandalimit të vrasjeve e plagosjeve nga gjuajtjet me armë në ahengje familjare, po përsëritet edhe këtë vit.

Përveç autoriteteve shtetërore, në një rrëfim lutje për mospërdorim të armëve në gëzime familjare ka edhe prindi i një fëmije që aksidentalisht humbi jetën 5 vjet më parë.

Tradita e gjuajtjes me armë në festa familjare, jo rrallëherë, gëzimet i ka kthyer në tragjedi, në familje të ndryshme gjithandej vendit.

Me një ngjarje të tillë që gazmendin, e shndërroi në fatkeqësi, u përball edhe familja Sopaj nga fshati Mushtishti i Suharekës. Pesë vjet pas tragjedisë, në një ditë plotë vapë, Latif Sopaj, rrëfen historinë e trisht të 14 prillit, 2018, kur humbi djalin e tij.

 “Atë ditë e kemi pasë një fejesë në familje. Gjatë gjithë kohës djali ka luajtur e vallëzuar me tupanë. Pasi janë ndalë tupanët kanë ardhur miqtë, kanë hyrë brenda, e këta kanë dalë për të shkrepur me armë, siç e kemi ne shqiptarët zakon. Edhe aty ka ndodhur rasti, vëllai aksidentalisht e ka plagosur veten dhe djalin. Edhe djali aty e pësoi me vdekje dhe gjithçka përfundoi”, tregoi ai.

Latif Sopaj, babai i Edit, i cili vdiq një ditë pas ditëlindjes së 14-të, kërkon nga qytetarët që në kremte familjare mos të shkrepin me armë. Ai thotë se mos përdorimi i armëve parandalon tragjeditë eventuale.

 “Ju kisha lutur çdo shqiptari që të mos përdorin armë nëpër fejesa, martesa apo ahengje tjera familjare. Më mirë pa armë e të jenë të lumtur gjatë gjithë jetës, se t’iu ndodhë ndonjë fatkeqësi e të jenë me vaj tërë jetën, për fëmijën apo anëtarin e familjes së humbur. Unë jam tu vuajt. Me gjithë bashkëshorten jam duke vuajtur shumë. Sytë tanë kurrë nuk po teren. Gjithmonë janë me lot” tha ai.

Në lidhje me numrin e të vrarëve dhe të lënduarve në pesë vitet e fundit, si pasojë e përdorimit të armëve në ahengje familjare, Radio Kosova ka pyetur Policinë e Kosovës. Deri në përgatitjen e këtij materiali, nga Policia nuk kanë kthyer përgjigje konkrete, përkundër pritjes disa ditore.

“Referuar kërkesës suaj keni të dhënat e përgjithshme siç vijojnë: Policia e Kosovë për vite me radhë realizon projekte, fushata sensibilizuese, plane operacionale që ndërlidhen me parandalimin dhe konfiskimin e armëve ilegale. Ndër vite Policia konfiskon rreth 1200-1500 armë të ndryshme ilegale dhe me rreth 30-40 mijë municion të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në përgjigjen e Policisë, ku theksohet se gjatë vitit 2022 janë konfiskuar 1 mijë e 473 armë.

Me qëllim të parandalimit të përdorimit të armëve në ahengje, Ministria e Punëve të Brendshme, më 30 qershor filloi fushatë “Festo me zemër, jo me armë”. Në kuadër të fushatës që realizohet prej vitesh, e sivjet do të zgjasë dy muaj, do të zhvillohen aktivitete të ndryshme vetëdijësuese.