“Frikacaku! Ne menduam se kishte mbytur fëmijët”, kështu kanë deklaruar bashkëshortja dhe vjehrra e 40-vjeçarit Aleks Marku, i cili mbajti peng fëmijët në një apartament pranë zonës së Shkëmbi i Kavajës.
Kjo është dëshmia e Bardha Markut dhe nënës së saj në emisionin “Me zemër të hapur”.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës (15 Maj në Durrës) ku 40-vjeçari Aleks Marku, nga Lezha u vetëdorëzu pas negociatave me forcat RENEA disa orë pasi mbajti peng të miturit e moshës 6 dhe 11 vjeç.
Ndaj tij janë ngritur akuzat për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Policia sqaron se partnerja e tij 32-vjeçare në datat 14 dhjetor 2023 dhe 27 mars 2024 ka kërkuar lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtes. Por sipas policisë bashkëshortja e Aleks Markut, 32-vjeçarja me iniciale B. M., nuk është paraqitur në Gjykatë në asnjërën nga seancat.
“Në vijim, lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e shtetasit A. M., shtetasen B. M., 32 vjeçe. Në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë”, raportuan uniformat blu.
Gjithashtu mësohet se Aleks Marku ka rezultuar pas verifikimeve se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” se në Itali, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 02:30, të datës 15.05.2024, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, ku shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë, u neutralizua nga shërbimet “RENEA”, në bashkëpunim me ato të Policisë së Durrësit, pasi mbajti peng 2 fëmijët e tij të mitur (6 dhe 11 vjeç), në një apartament të marrë me qira, dhe qëlloi nga dritarja me armë zjarri kallashnikov, ju infomojmë se:
Pas shoqërimit të tij në ambientet e Policisë, u kryen veprimet procedurale dhe në përfundim të tyre u bë arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Në vijim, lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e shtetasit A. M., shtetasen B. M., 32 vjeçe. Në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë.
Gjithashtu, përsa i përket gjendjes penale të shtetasit A. M., ju informojmë se pas verifikimeve ka rezultuar se në Itali, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.
Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, grupi hetimor vijon hetimet dhe veprimet procedurale, për të përcaktuar nëse 40-vjeçari ka qenë në efektin e lëndëve psikotrope, gjatë ngjarjes, si dhe për të dokumentuar me prova të ligjshme, rrethanat e tjera të këtij rasti.