Në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës sot është vënë në funksion akseleratori i dytë, i cili ndihmon pacientët e prekur nga sëmundjet malinje.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti para mediave tha se aparatura është e teknologjisë së fundit dhe vlera e të cilit është mbi 1 milion euro.
“Erdhëm të bëjmë përurimin e akseleratorit të dytë, i cili është i teknologjisë më moderne, që në kuadër të radioterapisë bën rrezatimin me rreze jodizuese, me saktësi në luftimin e tumoreve, dhe duke mos dëmtuar edhe indet tjera rrotull. Kjo teknologji i përshtatet sipërfaqes së tumorit dhe arrin të mos bëjë dëmtime anësore. Vlera e tij është 1 milion e 400 mijë euro”, u shpreh Kurti.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se sot është ditë shumë e rëndësishme.
“Ditë e rëndësishme, sidomos për pacientët e prekur me sëmundjet malinje. Lista e pritjes që ka ekzistu çdo herë deri në fund të këtij viti do të bëhet 0”, pohoi ai.