Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Në Preshevë u mbajt Konferenca “Ekonomia shpëton Luginën”, premtohet rimëkëmbja ekonomike e Luginës

 
   

Në qytetin e Preshevës, për dy ditë rresht u mbajt Konferenca Ekonomike me moton “Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës”, e organizuar nga Unioni i Afaristëve “Vizioni për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, ku morën pjesë mbi 300 përfaqësues të bizneseve nga të gjitha viset shqiptare në Ballkan, si nga Qeveria e Kosovës, përfaqësues diplomatikë (Ambasada Shqiptare në Beograd), nga OSBE-ja, si dhe nga diaspora shqiptare.

Forumin ekonomik në Preshevë e ndoqi edhe gazeta zvicerane Le Canton27.ch për shkak të pranisë së madhe të përfaqësuesve të shoqatave dhe biznesmenëve shqiptarë në Zvicër.

Mysafirët në Kosovën Lindore, para konferencës, vizitën e parë e nisën tek busti i Skënderbeut në Preshevë!

Kjo konferencë dy ditore kishte për qëllim krijimin dhe promovimin e rrjetit të prodhuesve vendorë me ata ndërkombëtarë, si dhe sensibilizimin e gjendjes ekonomike në Luginën e Preshevës.

Mysafirët nga Prishtina, Tirana, Shkupi, Podgorica dhe Diaspora, para konferencës, vizitën e parë e nisën tek busti i Skënderbeut në Preshevë! Pastaj mysafirëve të pranishëm në konferencën e mbajtur në Shtëpinë e Kulturës “Abdullah Krashnica” në drejtimin e moderatores Ardita Behluli, duke i përshëndetur dhe uruar mirëseardhje, iu drejtua z. Xhelal Memeti, kryetar i UAV për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ai fillimisht i dha një retrospektivë të situatës ekonomike dhe tregtare, si dhe të bizneseve në Preshevë dhe Luginë, sipas të cilit shqiptarët e këtyre viseve në Jug të Serbisë janë më të varfër në Evropë, siç dëshmon edhe eksodi i tyre i madh drejt Zvicrës dhe vendeve tjera të BE-së. Kjo ndodh për shkak të politikave diskriminuese të regjimit të Beogradit, jo vetëm në sferat kombëtare, por edhe në administratë, ekonomi dhe zhvillim. Prandaj sot jemi tubuar në këtë konferencë për të biseduar dhe gjetur mundësi për të avancuar ekonominë dhe bizneset në mjedisin tonë, si parandalim i shpërnguljes së qytetarëve tanë.

Të ftuar në këtë eveniment ekonomik ishin përveç përfaqësuesve nga ministritë e Qeverisë së Kosovës, ishin prezent edhe drejtues të rrjeteve të bizneseve të shqiptarëve, ato vendore dhe nga diaspora, si dhe Odat Ekonomike nga vendet e rajonit.

“Një gjë që nuk po e bën politika në Preshevë, po e bën biznesi bashkë me diasporën dhe qeverinë e Kosovës. Ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme dhe të përparuar është një proces i gjatë dhe me plot sfida, por me përkushtim dhe frymë bashkëpunimi, do të bëjmë maksimumin në jetësuar ndryshimet e duhura,” ka thënë ndër të tjera zëdhënësja e Qeverisë së Republikës së Kosovës në Kosovën Lindore, znj. Ardita Sinani, siç citon gazeta zvicerane Le Canton27.ch.

Nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfaqësues ishin zëvendësministri i MBPZhR-së, Imri Demelezi, dhe këshilltarja politike e kryeministrit për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani. Ata u shprehën se Qeveria do të vazhdojë përkrahjen e fuqishme për përparimin social dhe ekonomik të Luginës së Preshevës. Jemi të vendosur të krijojmë kushte të favorshme për gjetjen e zgjidhjeve të problemeve shoqërore, si dhe kontribuimin në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik. Këtë e kemi dëshmuar edhe përmes iniciativave dhe mbështetjes së ofruar në vazhdimësi për Luginën e Preshevës.

Folësit e kësaj konference, duke përshëndetur organizatorët, thanë se ky forum ekonomik në Preshevë ka ndikuar pozitivisht në jetën dhe zhvillimin e Luginës së Preshevës, duke treguar se shqiptarët e kësaj zone nuk janë të vetëm!

Në qershor të vitit 2021, Qeveria e Republikës së Kosovës solidarizohet me një fond modest për Luginën, për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në atë vit.

Në tetor të vitit 2022, kemi nënshkruar Memorandum mirëkuptimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar për përkrahjen financiare me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës, artit, kulturës dhe identitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.

Nisur nga ky vizion, puna do të vijojë ngushtësisht me komunitetin lokal dhe me të gjithë aktorët e interesuar për të arritur qëllimet tona të përbashkëta. Ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme dhe të përparuar është një proces i gjatë dhe me plot sfida, por me përkushtim dhe frymë bashkëpunimi, do të bëjmë maksimumin në jetësimin e ndryshimeve të duhura.

Në këtë eveniment ekonomik dhe biznesi mori pjesë edhe Enver Idrizi, kampion i karatës në botë. Në fjalën e tij, z. Idrizi, ndër të tjera, tha se “Presheva është zemra e shqiptarisë, prandaj duhet ndihmuar ekonomia dhe zhvillimi i këtyre viseve, jo si borxh për atë çfarë u bë për formimin e shtetit të Kosovës, por si domosdoshi kombëtare dhe për të ndaluar eksodin e shqiptarëve nga vatrat e tyre shekullore…”

Gazetari nga Gjeneva: Të ndihmohen mediat në Luginën e Preshevës, për të mos rënë në shërbim të sponsorëve të dyshimtë nga Serbia dhe Rusia, si disa në Kosovë dhe Shqipëri!…

 Image Pamje Konferenca “Ekonomia shpëton Luginën” 
 

Nuk do të përmend vetëm disa mysafirë dhe folës të cilët zgjuan interesim për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe tregtar në të gjitha fushat e biznesit në Luginën e Preshevës, si: Lazim Destani (filantrop, humanist dhe biznesmen ndërkombëtar), Ardita Sinani (Këshilltare Kryeministrit – RKS), Lirim Ujka (Sekretar i parë nga ambasada shqiptare në Beograd), Antonios Balasks (OSBE), Imri Demelezi (Zv. Ministër i Bujqësisë RKS), Merita Sherifi (Këshilltare Politike Zv. Kryeministrit), Agim Shahini nga AKB, Yll Blakaj (Kryetar i Albanian Global Diaspora Business Network – Österreich), Kryetar i Florim Useini (Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore), përfaqësues nga zyra e Kosovës në Beograd, pastaj Adnan Imeri dhe Skender Destani nga FHKL në Zvicër, Enver Idrizi kampion botëror i karatës, biznesmenët dhe mysafirët special nga Shqipëria, Dod Doçi (oligark dhe biznesmen ndërkombëtar, njëherit kryetar i kompanisë gjigante Lura dhe drejtor i përgjithshëm i Hotelit Mövenpick, një hotel modern në Shqipëri, sipas standardeve zvicerane dhe evropiane në gji të Lalez-Durrësit) dhe Kujtim Dervishi (Kryetar i Shoqatave dhe restoranteve turistike në Shqipëri), Sami Mustafa nga Kumanova, patron i kompanisë gjigante “Ambrella” në Zvicër dhe Ballkan (President bei Ambrella Seiss Bau) etj…

Gazetari ynë i njohur ndërkombëtar, Nefail Maliqi, që ka bashkëpunuar me mediat më të njohura kombëtare, zvicerane dhe botërore (TV Shkupi, BBC, Deutsche Welle, Bota Sot, Presheva Jone, Tribune de Genève, Top Channel, The Genevas Post, etj.), dhe që sot drejton gazetën zvicerane Le Canton27.ch, në fjalimin e tij u përqendrua në lirinë e mediave, në këtë rast diskriminimin e tyre në Luginën e Preshevës dhe financimin e dyshimtë të disa mediave shqiptare në Ballkan. Sipas z. Maliqi, “mediat në Luginën e Preshevës punojnë në kushte të vështira, që shumë pak kanë përkrahje nga vendet tona, sidomos nga Shqipëria dhe më tepër nga Serbia. Për të mos rënë në kurthin e sponsorëve të dyshimtë dhe propagandës sllave, do të ishte mirë që këto media, edhe pse të pakta, të ndihmohen jo vetëm nga biznesmenët shqiptarë në botë, por edhe nga Tirana dhe Prishtina, si dy vende të cilat thuhet qartë se janë të obliguara të ndihmojnë shqiptarët, edhe jashtë vendit…”

“Siç e dini, Kremlini pas ofensivës ruse në Ukrainë ndau rreth 30 milionë euro për mediat në Ballkan, për çka disa media fatkeqësisht në Kosovë dhe Shqipëri nga këto mjete janë financuar. Kjo flet më se mirë për statutin e brishtë dhe të destabilizuar në Kosovë, sidomos atë në Veri. Nëse Serbia dhe Rusia financojnë mediat në Kosovë për të destabilizuar rajonin, atëherë pse Tirana dhe Prishtina të mos financojnë mediat për të stabilizuar dhe për të kontribuar në paqe në rajon?!” ka thënë në fund publicisti dhe gazetari ynë i njohur, i cili ka punuar për 20 vite në Kombet e Bashkuara në Gjenevë.

Dje dhe sot ishte Konferenca Ekonomike e Preshevës ajo që në Luginë bashkoi shumë subjekte ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve nga mbarë trojet shqiptare. Nën organizimin e Unionit të Afaristëve Vizioni – Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, në këtë aktivitet dy-ditësh morën pjesë përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, pastaj nga ambasada shqiptare në Beograd, ato të Odave Ekonomike të rajonit si Dhoma e Biznesit të Diasporës, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, Aleanca Kosovare e Bizneseve, drejtues të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës nga Zvicra, Gjermania e Austria, si dhe përfaqësues të shumë kompanive vendore nga Presheva dhe mbarë Luginë.

Nën moton ‘Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës’, në këtë konferencë u trajtuan tema të ndryshme që lidhen me zhvillimin ekonomik të Luginës, ndërsa në fokus ishte promovimi i produkteve të këtuara dhe krijimi i një rrjeti që t’i lidhë prodhuesit vendorë me ata ndërkombëtarë.

Me përfundimin e Konferencës, agjenda vazhdoi me vizitat e realizuara në një varg kompanish të rajonit të Luginës. Për afaristët e ardhur nga viset tjera dhe nga diaspora, këto vizita ishin një mundësi e mirë për t’u njohur nga afër me llojshmërinë e produkteve të këtuara, si dhe për t’u parë mundësitë e gjetjes së tregjeve të reja për t’u ofruar ato.

Në fund të kësaj konference dyditore me temën ‘Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës’, pjesëmarrësit e konferencës patën rastin të vizitonin dhe njiheshin me punën e ndërmarrjeve më të njohura në Luginën e Preshevës, duke filluar me “Valoni Petrol”, pastaj tek “Bici Komerc”, “Vijator”, “Majanca”, Restorantin “Rozafa”, etj. Mysafirët nga Tirana, Prishtina dhe Tetova kaluan natën në hotelin e mrekullueshëm në Luginë – “Valoni Petrol”.

Fjala përshëndetëse e filantropit, humanistit dhe biznesmenit ndërkombëtar Lazim Destani në Konferencën ekonomike në Preshevë:

“Jam i lumtur që ndodhem sot këtu në Preshevë për të marrë pjesë dhe për të kontribuar në këtë Konferencë Ekonomike të organizuar nga UNIONI I AFARISTËVE VIZIONI – PRESHEVË, MEDVEGJË, BUJANOC.
Kam marrë pjesë në shumë Konferenca Ekonomike të nivelit kombëtar apo ndërkombëtar, por pjesëmarrja në këtë Konferencë është po aq e veçantë sa dhe vetë motoja e kësaj Konference: “Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës”!

Kam përshtypjen se në Luginën e Preshevës, kjo është Konferenca e parë ekonomike e këtyre përmasave, me pjesëmarrje të gjerë të Odave dhe subjekteve ekonomike, si dhe bizneseve nga të gjitha trojet tona dhe nga diaspora.

Me këtë rast, për iniciativën dhe organizimin e kësaj Konference dua ta përgëzoj Kryesinë e Unionit të Afaristëve Vizioni dhe në veçanti Kryetarin Xhelal Memeti.

Kjo pjesëmarrje e gjerë patjetër që ofron mundësi të mëdha bashkëpunimi mes kompanive tona, ku gjithsesi edhe Odat Ekonomike kanë rol shumë të madh me mbështetjen dhe lehtësirat që u ofrojnë kompanive, si për bashkëpunim ashtu dhe për investime potenciale.

Lugina e Preshevës kërkon dhe meriton të ketë vëmendjen e klasës së biznesit. Investimet këtu le të konsiderohen edhe si obligim tonin për ta mbështetur popullatën e këtushme. Kontributi ynë për zhvillimin ekonomik të kësaj ane është i pazëvendësueshëm dhe me rol jetik për zhvillimin e përgjithshëm të Luginës.

Gjithashtu, faktorit politik të Luginës së Preshevës, si dhe institucioneve vendore këtu, do t’u bëja thirrje për unitet dhe për veprime mbështetëse për bizneset dhe për investime të reja.

Zonat e Lira Ekonomike, për shembull, luajnë rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, andaj drejtuesit e komunave të Luginës mund të bëjnë përpjekje për ndonjë të tillë. Këto zona ofrojnë mundësi të shkëlqyera për investitorët dhe sidomos për Investime të Huaja Direkte, të cilat paraqesin segment tejet të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi.

Për ta përfunduar, dëshiroj të mirën për Luginën e Preshevës, dhe Konferencës i uroj punime të mbara dhe shumë suksese!

 Image Pamje Konferenca “Ekonomia shpëton Luginën” 
 
 Image Pamje Konferenca “Ekonomia shpëton Luginën”