Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Në prill mund të shtrenjtohet përsëri rryma elektrike

 
   

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë tashmë ka përfunduar raportet konsultative për të hyrat e rregulluara për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS), Furnizuesin e Shërbimit Universal (KESCO) dhe Operatorin e Sistemit të Transimisionit dhe Tregut (KOSTT) për vitin 2024, të cilat priten të aprovohen së shpejti.

Në aplikacionet që ka dorëzuar KEDS dhe KESCO, ata kanë parashikuar një rritje të shpenzimeve operative, duke shpjeguar se do të rrisin pagat e punëtorëve për 15%. Këtë ia faturojnë demoralizimit të punëtorëve, pas rritjes së pagave prej 15% nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), gjeneruesi më i madh në Kosovë, për punëtorët e vet.

“Gjenerimi në fund të vitit 2023, rriti sërish pagat për afro 15%, duke rritur edhe më shumë dallimin ndërmjet punëtorëve të të njëjtit sektor. Ky dallim po i demotivon punëtorët profesional duke i detyruar ata të lëvizin kundrejt kompanive private, KEK dhe KOSTT, paga mesatare e të cilëve është dukshëm më e lartë”, thuhet në aplikacionin e tyre, ku thonë se do t’i rrisin edhe ata pagat për 15%.

E zgjidhjen në këtë situatë e kanë bërë duke rritur kostot operative, që rrjedhimisht do të rrisin edhe çmimin e energjisë elektrike, pasi ato do t’i faturojnë shtesë në fatura dhe nuk do t’i heqin nga fitimi i përgjithshëm.

Mirëpo, në raportin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, thuhet që një gjë e tillë nuk do të lejohet. Megjithatë, sipas ZRrE’së, rritja e pagave do të lidhet me normën e rritjes së inflacionit në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit të publikuar nga Eurostat, që është 5.41%,.

Nëse nuk do të ketë ankesa, deri më 21 shkurt dhe të ndryshohet, atëherë kjo do të ketë efekt në fatura, meqë do të rrisë koston operative për 1.14 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rritje në fatura do të nis të paguhet nga 1 prilli i vitit 2024.

Për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) të hyrat maksimale të lejuara do të jenë 128.84 milionë euro, apo 20 milionë euro më pak se që ka propozuar vetë kompania.

Sipas raporteve të njëjta të ZRRE-së, një ulje e çmimit do të jetë edhe në çmimin e rregulluar për blerje të energjisë. Derisa më 2023, një megavat ishte paraparë nga që të blihej nga Furnizuesi i Shërbimit Universal me 157 euro, për vitin 2024 kanë planifikuar ta blejnë me 133 euro për MW. Por, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka paraparë që çmimi të jetë 105 euro për megavat.

Çmimi aktual i energjisë elektrike në Kosovë ndahet në bllok-tarifa, nën dhe mbi 800kW të shpenzuara.

Për ata nën 800kW, tarifa e lartë është 7.79 cent, kurse tarifa e ulët 3.34 cent. Kurse për qytetarët që shpenzojnë mbi 800kW, tarifa e lartë është 14.45 cent dhe tarifa e ulët 6.81 cent.