Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Në veri tashmë dominojnë targat RKS, pak të interesuar për konvertim në dy javët e fundit

 
   

Vetëm edhe pak ditë kanë mbetur deri në përfundim të afatit për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato të Republikës së Kosovës, por nuk ka pasur shumë interesim për këtë.

Për dallim me muajt e kaluar, në rrugët e Mitrovicës së Veriut rrallë herë lëvizin vetura me targa ilegale.

Pas interesimit të shtuar për konvertim të targave ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës, afati i paraparë për këtë proces, 30 nëntori u shty deri më 15 dhjetor.

Por, përkundër vullnetit të Qeverisë, pak pronarë veturash vërehen duke e kryer proces.

Ndryshe nga java e kaluar, ditën e hëne edhe në pjesën jugore kishte shumë pak interesim.

Edhe shifrat që posedon Policia e Kosovës tregojnë për një numër të ulët që kanë shfrytëzuar avantazhet financiare të ofruara nga qeveria, krahasuar me fluksin para 30 nëntorit.

Zëvendësdrejtori Elshani, vlerëson se ata që kanë qenë të interesuar e kanë shfrytëzuar mundësinë.

“Tash kanë mbet disa me probleme teknike…nëse është e nevojshme kërkojmë që prapë me u zgjatë orari…”, tha Veton Elshani, zv. drejtor rajonal i policisë për rajonin e veriut.

Në rast se nuk shtyhet përsëri afati, pas 15 dhjetorit veturat me targa ilegale do të konsiderohen si të paregjistruara, dhe rrjedhimisht, vozitësi do të gjobitet me 150 euro, i merren targat, dokumentacioni dhe vetura largohet nga komunikacioni.