Emri i Faton Hajrizit është i njohur për opinionin kosovar. Ai është rikthyer në vëmendje të mediave, pasi është arratisur para pak ditësh nga burgu dhe tashmë ndodhet në arrati. Hajrizi ndonëse po kërkohet nga autoritetet e Kosovës, s’ka ngurruar që të futet në rrejte sociale dhe të qëndrojë për orë të tëra “live”.
Duke e parë gjithë debatin që është ndezur rreth emrit të Faton Hajrizit, nëna e tij, Shehrije Hajrizi, ka kërkuar realizimin e një interviste për të treguar siç thotë ajo, ato që djali i saj Faton Hajrizi ka përjetuar qysh në vitet 2000, kur Kosova administrohej nga UNMIK-u.
“Le të dinë opinioni për vuajtjet e Fatonit këtu, por edhe në burgun e Mitrovicës. Por në pamundësi me shku atje, erdhëm këtu..”, thotë Shehrije Hajrizi derisa futet bashkë me autorin Arsim Lani, në burgun e Prishtinës, ku Faton Hajrizi kishte qëndruar disa herë, disa muaj.
Teksa i ofrohet qelisë ku Hajrizi kishte qëndruar e ku nëna e tij e kishte vizituar, Shehrije Hajrizi thotë se asnjëherë s’e ka përjetuar mirë kur ka ardhur ta vizitojë dhe se edhe gjatë realizimit të intervistës ka emocione të rënda.
Ajo thotë se djali i saj ndonëse ishte arrestuar si i mitur, trajtimi që i ishte bërë atij nga administrata e asaj kohe s’ka qenë për moshën që e ka pasur. Shehirje Hajrizi thotë se UNMIK-u nuk e ka trajtuar si të mitur.
“S’e kam përjetuar mirë edhe kur kam ardhë me e pa.. tash janë emocione edhe ma të rënda. Por për hir të opinionit, me iu tregu cka ka përjetu. Ne e kemi dorëzuar 15 vjeçar. Rrethanat kenë qe me na e mbrojtë djalin tonë, jo me na pru në qet gjendje. Shteti nuk e mbrojti. S’është trajtu si i mitur nga UNMIK-u”, thotë ajo.
Nëna e Faton Harjizit ka treguar se si djali i saj derisa kishte provuar të arratisej nga burgu u Mitrovicës e kishte thyer këmbën dhe se me këmbë të thyer pastaj ishte transferuar në Burgun e Prishtinës.
Ajo thotë se kur kishte ardhur ta vizitojë, e kishte gjetur në qeli me këmbë të thyer, të cilën e kishte lidhur me maicën e tij, meqë thotë se askush s’i kishte ofruar ndihmë.
Shehrije Hajrizi thotë se pasi e kishte parë në një gjendje të tillë, ishte ankuar në Kryq të Kuq, të cilët më pas edhe e kanë vizituar atë në burg.
“Ka qëndru këtu, kur ka qenë i mitur. Niher 8 muj, niher 6 muj. 2000, 2001, 2002. Herë e dërgojshin Mitrovicë, herë këtu. Ai ka qëndru këtu me këmbë të thyme. Kur është arratisë nga Mitrovica, e ka pasur këmbën e thyme. Kam ardhë e kam vizitu. S’ia kanë dhanë as ndihmën e parë. Komën e thyme e ka pshtjellë me maicë të veten. Kam shku e kam intervenu në Kryq të Kuq”, shprehet ajo.