Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Nënë më fal, po vdes! Kriminelët më sakatosën ashtu si bënë me babanë”, rrëfimet e ish të burgosurit politik

“Nganjëherë, kur fëmijës i bien në kokë sprova të rënda që në moshën më të njomë në skutat e fshehta të shpirtit të tij, lind një farë peshoreje, një peshore e llahtarshme, me të cilën ai peshon punët e kësaj bote. Duke e ndier veten të pafajshëm, ai iu nënshtrua fatit pa bërë zë. Nuk u qa aspak. Ai që s’ka përse të qortohet, nuk qorton të tjerët”!

NË QELITË E SIGURIMIT

Qelia ku më mbyllën kishte dimensione 2.5 X 1.5 dhe lartësia fillonte nga 20 cm. dhe përfundonte në 1.5 metra. Koka dhe i gjithë trupi, më dhimbnin. Nuk e di sa kisha në atë gjendje, kur dëgjova një zë që thërriste, sikur pëshpëriste:

– “Hej, kush jeni”?!

Nuk kisha fuqi të përgjigjesha. U mundova, por u rrëzova përsëri. Thirrja u përsërit. U kapa pas hekurave të dritares së vogël që ndodhej në portë dhe munda të ngrihem me mundim. Në krah të qelisë time, nën shesh pushimin e shkallëve, ndodhej një qeli tjetër, që me timen ishin të vendosura në formën e gërmës ”L“. Në dritaren e portës së saj, pashë fytyrën e një burri.

– “Ujë”! – i thashë me gjysmë zëri

U mundua të më jepte shtëmën e vogël që kishte, por atë nuk e nxinin hekurat, Atëhere mbushi opingën e tij dhe ma dha. Në fillim ndjeva neveri, të pija ujë, me opingën e një të panjohuri. Mos vallë vinte erë nga djersa e këmbëve të tij? Por etja më detyroi. E piva përnjëherësh. E mbushi përsëri dhe e përpiva edhe atë. Uji më gjallëroi. E mbushi për të tretën herë dhe më tha:

– “Laj fytyrën”!

U lava. Ndjeva se uji më solli në jetë. Në këtë kohë më hyri një e dridhur në shtat. Ndoshta po më fillonin ethet. Ai më pa, mori një batanije dhe ma zgjati nëpërmjet dritares.

– “Merre dhe mbulohu, por kujdes mos të të shohë roja”.

E mora dhe u mbulova. Pas pak më zuri gjumi. U zgjova nga një zhurmë hapash. E vura batanijen në një anë që të mos dukej. Çelësat e portës vringëllitën dhe u shfaq një polic, që fliste me dialekt verior, të trazuar me jugor.

– “Mirë se paske ardhë, or mik! – foli ai – “Çohu të kryesh nevojat personale”!

U ngrita dhe shkova pas tij. Kaluam nëpër një korridor të gjatë në dy anët e të cilit ishin qelitë, secila me nga një numër në krye të portës. Në fund ishin nevojtoret dhe dy çezma. Mbarova punë dhe ai më shoqëroi deri në qeli…!

Dola në dritare dhe i fola komshiut. Filluam të bisedojmë Ishte Imer Rakipi, nga Gjormi, i ati i Neki Imerit, ish-komandant partizan, i vrarë po nga ata.

U ula në një qoshe dhe fillova të vështrojë qelinë. Nga drita e paktë që hynte nga dritarja, vura re disa shënime të bëra me gërvishtje në mure. U afrova dhe lexova njërin:

“Këtu u dergj Gogo Zhupa”!

Kush ishte ky Gogo Zhupë, që ishte dergjur aty?! Gjatë kohës që qëndrova në burg, nuk takova njeri me këtë emër. Ata që e kishin njohur, më thanë se ishte nga Himara.

Më tutje një shënim tjetër më i gjatë:

Nënë e dashur!… Më fal!…Po vdes… me brengën… se po të lë vetëm… Kriminelët më… kanë sakatosur…ashtu si bënë… edhe me babanë…! Më fal o nënë… se të kam…shqetësuar…”!

PET…

Emrin nuk kishte mundur ta përfundonte. Çfarë e quanin? Petrit, Petrika, Petraq, Petref apo, ndoshta Petro? Si duket vdekja, nuk e kishte lejuar të mbaronte emrin e tij?!

Duke lexuar këto shënime mendova:

– “Si duket këto qeli, qenkan për të vdekur! Po unë a do të shpëtojë”?!

Mendja më shkoi te shkolla. Atë ditë ishte hartimi. Para syve më dolën shokët dhe shoqet e klasës. Midis tyre edhe Neri. Në atë moment ata po shtjellonin temën. Kurse unë dergjesha në atë qeli, prej nga nuk dija në se, do të dilja dot i gjallë. A mund të kishte temë më të dhimbshme se gjendja në të cilën ndodhesha? Një ndjenjë melankolie, më mbuloi!

Më dukej sikur shikoja fytyrën e Nerit. Kjo ndjenjë ma shtonte më tepër dhimbjen.

* * *

Pas tri ditësh lejuan familjen të më sjellin rrobat. Ia ktheva batanijen Imerit, duke e falënderuar për nderin që më bëri.

Kishim tri roje të brendshme. Kapter Myfiti, ishte një sadist i vërtetë. Kënaqësia e tij, ishte kur shihte viktimat e sakatosura nga torturat, që ktheheshin nga hetuesit.

Qeshte me të madhe, kur i shihte në atë gjendje. Ishte një e qeshur sarkastike. – “Sa më qenke zbukuruar me këtë ngjyrën e kuqe“! – thoshte duke u ngërdheshur si ndonjë përbindësh, kur i shihte viktimat të gjakosura.

Tetar Vlashi, ishte polici që më nxori ditën e parë për nevoja personale. Nuk ishte i keq si Myfiti, por kërkonte të zbatonte një për një, kërkesat e rregullores së brendshme. I treti ishte rreshter Gjyshi, i shoqi i një komshies tonë, me të cilën kishim miqësi familjare. Në përgjithësi, sillej mirë, sidomos me mua që më njihte.

Hetues, kishim marshall Demirin. Një vit më parë, kishte qenë edhe hetuesi i Besnikut. Kishte krijuar bindjen, se duhej të kishim një më të madh, që na kishte shtyrë në këtë rrugë. Nuk besonte që tre fëmijë si ne, të merrnim një të tillë nisiativë! S’arritëm kurrë të kuptojmë, se për ç’arësye dyshimi i tij binte mbi një shokun e klasës së Besnikut, Shefqet Xhikun. Na torturonte, për të na detyruar të pranonim se ishim shtyrë nga ai. Por kjo ishte absurde. Ne nuk kishim si të pranonim. Ishim të detyruar të duronim torturat.

Një natë po flija në qelinë time. Ndjeva një goditje të fortë në këmbë. U ngrita i tronditur. Para meje, qëndronte kapter Myfiti

– “Çohu! – tha me një zë të ashpër – Po të pret xhelati”.

– “Xhelati? Cili xhelat”?! – e pyeta unë.

Bëri buzën në gaz në mënyrë ironike dhe tha:

– “Do ta shohësh kur të shkosh lart”.

Më shoqëroi në zyrën e Demirit. Ai qëndronte duke shkruar diçka në tavolinë.

– “Qëndro aty”! – foli duke treguar qoshkun e murit.

Unë rrija i heshtur. Isha dobësuar jashtë mase. Nuk kisha fuqi të qëndroja në këmbë. U mbështeta pas murit.

– “Mos u mbështet”! – tha me një ton urdhërues pa hequr vështrimin nga shkresat që kishte përpara. Sipër kokës së tij ishte një orë muri. Ajo tregonte një e gjysmë. Kishte kaluar mesnata. Si mbaroi punë, u ngrit dhe u drejtua nga unë:

– “Sot dua të mbarojmë punë shpejt, se vajti vonë. Më trego, ku i ka fshehur florinjtë yt atë”?!

E vështrova i habitur.

E ku i kishin mbetur florinj tim eti, pas gjithë atyre peripecive që kishim hequr. Në shtëpinë tonë, mezi kishin mbetur vetëm disa mindere të vjetër prej dërrase dhe jo të kishim florinj! Le që edhe po të kishte, aq mendje lehtë nuk do ishte im atë, sa të m’i tregonte mua, një pesëmbëdhjetëvjeçari? Pyetja e tij, m’u duk si e një fillestari të paditur.

– “Babai im nuk ka florinj”, – iu përgjigja.

– “Ashtu, nuk do të tregosh? Ti di edhe vrimat e miut, që janë në shtëpi”.

– “Ato i di, por florinj, im atë nuk ka”.

– “Mirë, më qafë paç veten”!

Më lidhi duart me hekura dhe m’i shtrëngoi fort.

Më shtriu në tokë dhe filloi të më godiste me të dy pëllëmbët, me sa fuqi kishte. Shikoja krahët e tij që hapeshin me forcë dhe më qëllonin. Koka ime e vogël, ishte e detyruar të duronte goditjet barbare të tij. Filloi të më godasë edhe me shkelma në organet gjenitale. Më vinte këmbën me këpucët me gozhda në grykë dhe më hipte sipër, duke më rënduar me forcë…!

– “Hë, fol, ku janë florinjtë”?

Dhimbjet ishin të tmerrshme. Nga hundët filloi të më rridhte gjak. Kjo gjendje vazhdoi për gati dy orë. Së fundi humba ndjenjat. Më hodhën një kovë ujë në fytyrë. Ndjeva dy duar që më ngritën dhe duke më hequr zvarrë, më përplasën në qeli.

Isha në gjendje kllapie. Si nëpër gjumë më shfaqeshin para syve fytyra të ndryshme. Para syve më dilte portreti i Fatushes, që më jepte kurajo, por ai zëvendësohej menjëherë me atë të Demirit, që më kërcënonte:

– “Ti nuk je gjë tjetër, veçse një kufomë. Je i vdekur, i vdeeekuuuur……”!

Vizioni zhdukej dhe vendin e tij, e zinte portreti i Nerit. Me një ëmbëlsi të padëgjuar, zëri saj më pëshpëriste:

– “Të dua! Të dua”!

Këto vegime ndërthureshin me njeri-tjetrin, herë pas here. Ndjeva se nga sytë filluan të më rrjedhin lot. Por e mblodha veten shpejt dhe thashë:

– “Çfarë po bënë? Bëhu burrë dhe mos turpëro veten”!

Kjo gjendje vazhdoi deri në mëngjes. Ndjeva portën që u hap dhe rreshter Gjyshin që tha:

– “Ngrehu të kryesh nevojat personale”.

Unë nuk lëvizja dot. Duart e lidhura me hekura nga prapa më pengonin. Ia tregova. Ai më ngriti, më zgjidhi duart dhe më shoqëroi deri te çezmat.

– “Pastrohu se të lehtëson”, – tha me zë të butë.

U lava dhe hoqa njollat e gjakut, që më ishin mpiksur në fytyrë. Kyçet e duarve ishin nxirë nga mos qarkullimi i gjakut. Si mbarova, më përcolli në qeli. Nuk më lidhi më. Ndërsa mbyllte derën, i thashë:

– “Ju falemnderit”!

U largua pa më kthyer përgjigje. E ndjeva veten më të lehtësuar.

* * *

Netët kalonin në mes të ankthit të torturave. Ishte bërë e zakonshme që pyetjet të zhvilloheshin afër mesnatës. Kështu një natë, më çuan si zakonisht në zyrën e hetues Demirit. Ai më vështroi gjatë dhe në fund më pyeti:

“A je penduar për aktivitetin e zhvilluar“?

Pyetja më erdhi e papritur. Nuk dija si të përgjigjesha. Po rrija i menduar pa i kthyer përgjigje.

– “Hë, si thua”? – vazhdoi ai.

Vendosa t’i thoja të vërtetën:

– “Aspak”.

Përgjigja i erdhi e papritur. Më vështroi me inat dhe pastaj më tha;

– “Ashtu?! Atëhere bëjë një deklaratë për sa the”.

Më vuri para letër dhe penë. Unë fillova të shkruaj:

Dekllaratë

Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen ‘Vrenez’, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesëmarrës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e kryera kundër pushtetit, ju përgjigja si më poshtë:

Unë Reshati, dekllaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë, për deri sa gjendja në vendin tonë nuk ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga t’arratisurit jashtë shtetit, anglo-amerikanët, etj.

Këtë dekllaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vetë, pa u imponuar, sepse janë deponimet e mija.

Dekllaron i burgosuri

Reshat Kripa

Vlorë, më 11-VIII-1951

Demiri mori dhe lexoi deklaratën. Fytyra filloj t’i marrë lloj-lloj ngjyra. U kthye nga unë dhe me një ton prej krimineli, më tha:

– “Kështu, ti dashke anglo-amerikanët”?!

– “Po, shqiptarët dhe anglo-amerikanët. Ata janë aleatët tanë”, – iu përgjigja.

– “Aleatët e sat’ëme, apo tyt’eti”?!

Aty për aty filloi të më godasë me pëllëmba, grushta dhe çfarë të mundte. Pastaj thirri Myfitin dhe e urdhëroi që të më lidhte duart dhe të më çonte në qeli.

* * *

Një ditë u hap porta e qelisë dhe tetar Vlashi më tha:

– “Merr rrobat dhe eja me mua”!

I mblodha ato pak rroba që kisha dhe u nisa pas tij. Kur mbërritëm te qelia numër shtatë, qëndroi, hapi portën dhe më tha të futesha brenda. Ishte një qeli më e madhe se e para. Kishte dimensionet 3 X 2 dhe lartësi 3 metra. Në njërën anë të saj, ishte shtrirë një burrë rreth tridhjetëvjeç.

Ana tjetër ishte bosh, Përshëndeta mikun e ri dhe vendosa rrobat në vendin bosh. U ula dhe filluam të bisedojmë. Më pyeti nga isha dhe përse më kishin arrestuar. I tregova. E njihte tim atë. Kishte prurë ullinj në fabrikën tonë. Pastaj e pyeta edhe unë. Ishte nga Dukati. E quanin Halo Çanaj. Ishte arrestuar, pasi kishte strehuar disa të arratisur. Kishte qenë ushtar me çetat e “Ballit Kombëtar”.

Halua më përmendte betejat e Gjormit, Drashovicës, Selenicës dhe të tjera.

Më fliste për Termopilen shqiptare, Luftën e Grehotit me italianët, ku u vranë komandanti Hysni Lepenica dhe tridhjetepesë burra të tjerë. Më fliste për Skënder Muçon dhe dy shokët e tij, që i pushkatuan gjermanët, vetëm e vetëm se ishin nacionalistë.

– “A ke dëgjuar për ndonjë betejë tjetër, ku të kenë rënë komandanti dhe tridhjetepesë trima të tij“? – më thoshte me krenari.

Ai fliste dhe unë e dëgjoja me vëmendje. Më tregonte edhe për fillimin e vëllavrasjes, për Luftën e Dukatit, ku forcat nacionaliste, u sulmuan pabesisht nga partizanët:

– “Ishte fundi i nëntorit të vitit 1943. Kishte kaluar mesnata kur u zgjuam nga krisma e armëve. U dha kushtrimi. Ishim sulmuar pabesisht nga dy batalione partizane, ai “Asim Zeneli“ dhe “Halim Xhelo“. Burrat e fshatit, nën komandën e Maliq Koshenës, rrëmbyen armët dhe filluan të mbrohen. U zhvillua një betejë e përgjakshme. U vranë njëzetetre djem, katërmbëdhjetë nga partizanët dhe nëntë nga ballistët.

Ka mbetur si legjendë debati i zhvilluar ndërmjet partizanit Myrto Sadiku, nga Tërbaçi dhe ballistit Murat Bodo, nga Dukati. I pari foli Myrtua:

– “Hidhe armën, fashist i ndyrë”!

Ndërsa Murati i përgjigjet me bejte:

“S’jam fashist, por i Dukat,

As ti rus, por i Tërbaç,

Por na qenka taksirat

Që na vjen dhe vret në prag”!

U qëlluan të dy zjarr për zjarr.

Dukati i qau të rënët pa dallim. Ai i varrosi të dy palët, sipas zakonit shqiptar. Nënat dukatase, i qanë njëlloj bijtë e Shqipërisë:

“Korba, na u vranë djemtë,

Ca këtu e, ca në çetë.

Ca këtu, ca në parti,

Vaj medet, o Shqipëri”!

Komandantin tonë, Maliq Koshenën, e pushkatuan komunistët vitin e kaluar. Halua heshti. Kujtimi i asaj ngjarje e tronditi tepër.

Për herë të parë dëgjova një histori ndryshe nga ajo që kisha mësuar në shkollë. Këtë e dëgjova nga goja e një luftëtari të thjeshtë nacionalist, një njeriu të pa shkollë, por me një zemër të madhe. Tregimi i thjeshtë i Halos, pa shtirje dhe me sinqeritet të dukshëm, filloi të ndryshojë mendimin tim. për atë periudhë të historisë dhe ata personazhe. që u bënë heronjtë e saj.

* * *

Pas gjashtë muajsh e gjysmë. erdhi Gjykata Ushtarake e Durrësit. Gjyqi ishte në të vërtetë një farsë. Ishim nëntë veta. që u gjykuam. Ne të tre, Halua, Imeri dhe katër të tjerë, Bejo Vrazhdua nga Bolena, Hajro Belishova nga Mallakastra, Pullumb Llupa nga Vlora dhe Pepo Koheni, një vlonjat me origjinë hebreu.

Kryetar gjyqi, ishte kapiteni i parë Shuaip Shaze dhe anëtarë; nëntoger Namik Laze dhe një qytetare e Vlorës, Adile Selimi, bashkëshorte e Qerim Selimit, për të cilin fola më lart dhe që punonte në Gjykatën e Vlorës. Prokuror ishte Gaqo Bezha, ndërsa sekretare, Raife Ismaili. Gjykimi u zhvillua në dy seanca, që zgjatën jo më tepër se pesë orë. Ditën e parë u zhvillua seanca e pyetjeve. Të nesërmen në fillim, u dha pretenca e prokurorit. Në këtë pretencë, midis të tjerave thuhet:

Të tre të pandehurit bashkarisht, në gjimnazin “Ali Demi”, kanë marrë pjesë në një grup armiqësor, të ashtuquajtur “Atdhetari”, i krijuar dhe i pagëzuar me iniciativën e Reshat Kripës, kundër pushtetit popullor. Kanë zhvilluar mbledhje të rregullta, deri në shtatë herë rresht, në dyqanin e Jorgo Beshos e gjetkë, mbledhje këto që kryesoheshin nga Reshat Kripa.

Në fund të mbledhjeve merrnin vendime, për të shtuar radhët e grupit. Ata i kanë shkruar një letër Spiro Kokaveshit, të cilin e ftonin si anëtar të grupit, për të sabotuar konferencat që zhvilloheshin në gjimnaz, etj.

Ata, me propozim të Reshat Kripës, kanë hedhur trakte. Konceptet e tyre i jepte Myrteza Baboçi. Në shkruarjen e tyre kanë marrë pjesë Reshat Kripa dhe Jorgo Besho, ndërsa në shpërndarjen, që të tre së bashku!

Pastaj u bë mbrojtja e avokatëve. Unë dhe Jorgua kishim avokat Pavllo Sopiqotin, ndërsa Myrtezai, Petro Kisin. Ata u munduan ta paraqisnin çështjen si një fantazi fëmijësh…! Pastaj e mori fjalën kryetari, që kërkoi fjalën tonë të fundit.

– “Nuk kam asgjë për të thënë”, – u përgjigja unë.

Të njëjtën përgjigje thanë edhe shokët e mi. Ai priste që ne të kërkonim mëshirë. Ndaj kur dëgjoi fjalën tonë, vuri buzën në gaz. Pastaj me vendimin, numër 111, datë 11.12.1951, na dënuan. Në vendimin e gjyqit thuhet:

“Si element i shtresës së prekur nga reformat e pushtetit popullor, i pandehuri Reshat Kripa, ndonse në moshë të re, bëhet i vendosur në rrugën antipushtet dhe qysh në muajin mars të vitit 1951, bisedon me radhë edhe me dy të pandehurit e tjerë, Jorgo Beshon dhe Myrteza Baboçin.

U shfaq atyre propaganda shpifarake të radiove reaksionare si të Londrës e të tjera, u paraqet ndërrimin e situatës në vendin tonë dhe së fundi u propozon që të formojnë një grup me emrin “Atdhetari”

Të tre të pandehurit janë konseguent në pjesëmarrjen e tyre në grup kundërshtar të organizuar dhe në përpilimin dhe shpërndarjene fletushkave me përmbajtje antipushtet”.

Sipas tij, mua dhe Myrtezanë, na dënuan me nga pesë, ndërsa Jorgon me tre vjet burg.

Avokatët bënë rekursin në Gjykatën e Lartë Ushtarake. Kjo gjykatë, me Kryetar kapitenin e parë, Vangjel Kocani dhe anëtarë kapitenët e parë; Mustafa Qilimi dhe Mustafa Beqo, si dhe prokurori ushtarak, kapiten Gazmend Jusufaj dhe kryesekretari, kapiten Murat Qazimi, më datën 17.01.1952, morën vendimin numër 35, ku ndër të tjera thuhet:

“Rrezikshmëria e veprimtarisë së tyre është e theksuar., prandaj vendimi i gjykatës është i drejtë, si për deklarimin fajtor dhe për masën e dënimit, aplikuar veçmas për secilin”.

Vendimi ligjëronte atë të Gjykatës Ushtarake të Durrësit. /Memorie.al